Një sondazh global, i cili ka përfshirë mbi 23 mijë persona, ka nxjerrë në pah se djemtë e lindur mes viteve 1997–2012, të njohur si gjenerata Gen Z, po shfaqin qëndrime më tradicionale sa i përket rolit të grave në familje, raportoi The Telegraph.
Sipas të dhënave, rreth 31 për qind e djemve të kësaj gjenerate besojnë se gruaja duhet të bindet gjithmonë ndaj burrit, ndërsa 33 për qind mendojnë se burri duhet të ketë fjalën e fundit për vendimet e rëndësishme familjare.
Kryetarja e Global Institute of Women’s Leadership dhe ish-kryeministrja e Australisë, Julia Gillard, e ka cilësuar këtë trend shqetësues.
“Është alarmuese që qëndrimet ndaj barazisë gjinore nuk po bëhen më pozitive, sidomos tek djemtë e rinj. Duhet të sigurohemi që të gjithë ta kuptojnë se barazia gjinore është në dobi të gjithë shoqërisë”, ka deklaruar ajo.
Në krahasim, gjenerata Baby Boomers (të lindur ndërmjet viteve 1946–1964) rezulton më pak tradicionale. Vetëm 13 për qind e tyre besonin se gruaja duhet të bindet gjithmonë, ndërsa 17 për qind se burri duhet të ketë fjalën kryesore në familje.
Edhe te vajzat e Gen Z vërehen qëndrime më tradicionale krahasuar me gjeneratat e mëhershme. Rreth 19 për qind e tyre mendojnë se burrat duhet të vendosin për çështjet e rëndësishme familjare, ndërsa kjo përqindje te Baby Boomers është vetëm 6 për qind.
Po ashtu, 18 për qind e vajzave të Gen Z besojnë se gruaja duhet t’i bindet gjithmonë burrit, krahasuar me vetëm 6 për qind te gjenerata më e vjetër.
Stereotipet gjinore ende të pranishme
Sondazhi tregon gjithashtu se një pjesë e madhe e djemve të rinj vazhdojnë të ndjekin stereotipe tradicionale. Mbi 40 për qind e tyre mendojnë se duhet të jenë fizikisht të fortë, edhe nëse kjo nuk është natyrshme për ta.
Rreth 30 për qind thonë se nuk duhet t’u shprehin miqve ndjenjat, ndërsa 32 për qind besojnë se burrat duhet t’i zgjidhin problemet vetë, pa kërkuar ndihmë.
Mitet për stilin e jetesës së Gen Z
Ndërkohë, një studim i veçantë hedh poshtë idenë se Gen Z konsumon më pak alkool. Sipas të dhënave, 68 për qind e të rinjve kanë raportuar se kanë pirë në sasi të mëdha brenda një viti, ndërsa 29 për qind konsumojnë rregullisht gjashtë pije ose më shumë gjatë një daljeje.
Po ashtu, përdorimi i substancave narkotike mbetet i përhapur: 49 për qind e 23-vjeçarëve kanë përdorur kanabis, ndërsa 32 për qind kanë provuar droga më të forta, si kokainë, ketaminë dhe ekstazi