Granit Xhaka është një nga lojtarët më të përfolur në Premierligën angleze.

Kjo pasi ai verën e kaluar u transferua në mënyrë befasuese te Sunderlandi nga Bayer Leverkuseni.

Xhaka gjithmonë ka lënë përshtypje të mira te tifozët e çdo klubi ku ka qenë pjesë, por jo vetëm. Shumë futbolldashës tjerë – nga klubet tjera – e kanë vlerësuar me të madhe lidershipin që ai e tregon, si brenda ashtu edhe jashtë fushës.

Reklamë

“E kam këtë lidership që nga koha kur isha 4-vjeçar”, ka thënë ai në një intervistë për “Stan Sport”.

“Qysh në moshën katër vjeçare, unë dhe vëllai im [Taulanti], që atë kohë ishte pesë vjeçar, detyroheshim të rrinim vetëm, për pothuajse 18 orë, sepse dy prindërit punon pa u ndalur. Punonin pa u ndalur, me punë shtesë që ne të kishim kushtet dhe që të arrijmë këtu ku jemi. Unë i kisha çelësat e shtëpisë në dorën time. Dhe që atëherë jam rritur me përgjegjësi”, ka shtuar ai.

“Nëna punonte nga ora 4 e mëngjesit deri në 3 të pasdites. Na bënte bukën gati më herët, hanim, dhe pastaj ajo shkonte prapë në punë. Njëjtë edhe babai im”, bëri me dije Xhaka.