Një hetim në zgjerim lidhur me drogën në Stamboll ka sjellë në fokus aktoren e famshme turke, Hande Erçel dhe ish të dashurin e saj, biznesmenin Hakan Sabancı.

Prokurorët në Stamboll po vazhdojnë të hetojnë një çështje të gjerë që përfshin akuza që variojnë nga prodhimi dhe trafikimi i drogës deri te nxitja e prostitucionit, siç raporton “Turkiye Today“, përcjell Reporteri.net.

Zhvillimi më i fundit në hetim përqendrohet në një urdhër ndalimi të lëshuar për disa emra të profilit të lartë, ndërsa ish-kryetari i Beşiktaş-it dhe biznesmeni Fikret Orman u mor në paraburgim nga ekipet e njësisë kundër narkotikëve të policisë së Stambollit.

Reklamë

Në të njëjtin hetim, urdhra ndalimi janë lëshuar gjithashtu, sipas raportimeve, për ish-kryetarin e Galatasaray-t Burak Elmas, biznesmenët Hakan Sabancı dhe Kerim Sabancı, aktoren Hande Erçel, si dhe modelet Didem Soydan, e cila ka prejardhje shqiptare, dhe Güzide Duran.

Pas lajmeve të shumta që qarkulluan me shpejtësi në media se ajo po kërkohet për t’u marrë në pyetje, aktorja ka reaguar zyrtarisht përmes llogarisë së saj në Instagram.

Ajo ka sqaruar se prej një muaji ndodhet jashtë shtetit për çështje studimesh, por është e gatshme të përballet me situatën.

“Mbrëmë, ashtu si ju, u njoha me këtë çështje nga raportimet. Do të kthehem në vendin tim për të sqaruar situatën, për të bërë deklaratat e nevojshme dhe për të dhënë dëshminë time”, ka shkruar Hande, duke theksuar se ka besim të plotë te drejtësia dhe se e vërteta do të zbardhet shumë shpejt./Reporteri.net