Dy vite pas legalizimit të pjesshëm të kanabisit në Gjermani, debati mbetet i fortë mes politikës dhe ekspertëve për ndikimin e tij në shoqëri.
Ligji, i miratuar më 1 prill 2024 nga qeveria e majtë, lejoi përdorimin personal për persona mbi 18 vjeç, si dhe kultivimin e kufizuar dhe posedimin e kanabisit. Qëllimi ishte të reduktohej tregu i paligjshëm dhe të kontrollohej përdorimi.
Sipas një studimi paraprak të publikuar së fundmi, rezultatet janë të përziera, shkruan The Guardian.
Përfaqësues të Partisë Socialdemokrate (SPD) vlerësojnë se legalizimi ka dhënë efekt pozitiv, duke theksuar se përdorimi tek të rinjtë është në rënie dhe është ulur ngarkesa për policinë dhe gjykatat.
Nga ana tjetër, përfaqësues të Unionit Kristian-Demokrat (CDU) e konsiderojnë politikën një gabim, duke paralajmëruar rrezik për shëndetin e të rinjve dhe rritje të kriminalitetit.
Studimi tregon se nuk ka një rritje të dukshme të përgjithshme të konsumit, ndërsa tregu i zi mund të jetë në rënie, megjithëse vazhdon të mbetet problem në disa rajone.
Ndërkohë, procedurat burokratike për të përfituar nga legalizimi dhe për të hapur klube kanabisi mbeten të ndërlikuara, duke kufizuar ndikimin e reformës.
Raporti përfundimtar mbi efektet e këtij ligji pritet të publikohet në vitin 2028, kur edhe do të vendoset për fatin e mëtejshëm të kësaj politike.