Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i zemëruar nga dështimi i aleatëve të NATO-s për të ndihmuar në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit dhe i irrituar që planet e tij për të blerë Grenlandën nuk kanë avancuar, ka diskutuar me këshilltarët opsionin e tërheqjes së disa trupave amerikane nga Europa, raporton Reuters, duke iu referuar një zyrtari të lartë të Shtëpisë së Bardhë.
Asnjë vendim nuk është marrë dhe Shtëpia e Bardhë nuk i ka dhënë Pentagonit urdhër për të hartuar plane konkrete për reduktimin e trupave në kontinent, përcjell Reporteri.net.
Sipas Reuters, vetë këto diskutime tregojnë sa shumë janë përkeqësuar marrëdhëniet midis Washingtonit dhe aleatëve të tij evropianë të NATO-s gjatë muajve të fundit.
Ato gjithashtu sugjerojnë se një vizitë në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, nuk arriti të përmirësonte marrëdhëniet transatlantike, të cilat mund të thuhet se janë në pikën më të ulët që nga themelimi i NATO-s në 1949.
Aktualisht, SHBA-ja ka më shumë se 80,000 trupa në Evropë dhe ka luajtur një rol qendror në arkitekturën e sigurisë evropiane që nga Lufta e Dytë Botërore. Më shumë se 30,000 nga këta trupa janë të vendosur në Gjermani, me numra të konsiderueshëm gjithashtu në Itali, Mbretërinë e Bashkuar dhe Spanjë.
Zyrtari nuk tha se cilat vende mund të preken ose sa trupa mund të tërhiqen në fund nëse Trump vendos të vazhdojë me këtë ide.
Trump ka pasur prej kohësh një marrëdhënie të trazuar me NATO-n, por tre muajt e fundit kanë qenë veçanërisht të vështirë.
Në janar, Trump nxiti një krizë transatlantike kur kërcënoi për të aneksuar Grenlandën. Që nga shpërthimi i luftës me Iranin më 28 shkurt, ai ka shprehur zhgënjim të thellë që aleatët e NATO-s nuk kanë ofruar ndihmë për të rihapur Ngushticën e Hormuzit, një rrugë jetike për furnizimet globale me naftë, e cila ka mbetur kryesisht e mbyllur pavarësisht një armëpushimi të brishtë të shpallur këtë javë.
Diplomatët e NATO’s kanë thënë se SHBA’ja nuk kishte bërë të qartë nëse priste që ndonjë mision në Ngushticën e Hormuzit të fillonte gjatë apo pas konfliktit, dhe gjithashtu kanë thënë se SHBA’ja nuk ka specifikuar cilat kapacitete të veçanta priste nga secili vend i NATO’s.
Sipas një raporti të The Wall Street Journal të mërkurën, zyrtarët e lartë të administratës po diskutonin për të zhvendosur trupat e vendosur në Evropë nga vendet, udhëheqësit e të cilave kishin qenë kritikë ndaj luftës SHBA-Izrael në Iran, dhe t’i çonin në vendet evropiane, udhëheqësit e të cilave kishin qenë më mbështetës.
Zyrtari i Shtëpisë së Bardhë i tha Reuters se Trump po diskutonte specifikisht për të tërhequr trupat në SHBA, dhe jo për t’i zhvendosur në vende të tjera të huaja./Reporteri.net