Bisedimet e drejtpërdrejta midis Izraelit dhe Libanit janë duke u diskutuar dhe mund të zhvillohen që javën e ardhshme, raporton NBC News, duke iu referuar dy zyrtarëve të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe një zyrtari izraelit.
Dy nga burimet thanë se takimi i parë mund të mbahet në Departamentin e Shtetit në Washington, ku Izraeli do të përfaqësohej nga ambasadori i tij në SHBA, Yechiel Leiter, ndërsa Libani do të përfaqësohej nga ambasadorja e tij në SHBA, Nada Hamadeh-Moawad, përcjell Reporteri.net.
Një zyrtar i DASH ka deklaruar se ambasadori amerikan në Liban, Michael Issa, do të përfaqësonte Shtetet e Bashkuara.
“Ne mund të konfirmojmë se Departamenti do të organizojë një takim javën e ardhshme për të diskutuar negociatat e vazhdueshme për armëpushim midis Izraelit dhe Libanit” tha zyrtari tjetër i DASH.
Netanyahu tha të enjten se kishte udhëzuar kabinetin e tij të hapë negociata të drejtpërdrejta me Libanin me qëllim “çarmatimin e Hezbollahut” dhe arritjen e “një marrëveshjeje historike dhe të qëndrueshme paqeje midis Izraelit dhe Libanit.”
Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka bërë thirrje Kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, që të reduktojë sulmet në Liban./Reporteri.net