Lëvizja Vetëvendosje i ka çuar sot për votim në Kuvend projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit të tregut, atë për sigurimet e detyrueshme shëndetësore, atë për shtetësinë dhe disa projektligje të tjera.
VV-ja ka kërkuar që këto projektligje të hidhen sot në votim në Kuvend, një javë pasi u miratuan në Qeveri. Futja e tyre në rend të ditës për seancën e sotme të Kuvendit, dështoi pasi nuk pati vota të mjaftueshme për të bërë shmangie procedurale.
Paraprakisht partitë opozitare u shprehën kundër që këto projektligje të futen në rend dite në seancën e sotme, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Projektligji për çmimet tavan, i njohur si projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit të tregut, ishte shpallur i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2023.
Njëjtë kishte ndodhur edhe me projektligjin për sigurimet shëndetësore. /Reporteri.net/