Deputeti i Partisë të Demokratike e Kosovës, Përparim Gruda, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së deputetit të Lëvizja Vetëvendosje, Artan Abrashi, i cili kishte pretenduar se haraçi në bizneset e vogla financon PDK-në.
Gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, Gruda e cilësoi këtë deklaratë si të papërgjegjshme dhe jashtë standardeve të debatit institucional.
“Që s’jemi në rrugë. Nuk mundesh me thonë ‘janë disa haraçexhinj të bizneseve që financojnë Partinë Demokratike’. A e dini sa e rëndë është kjo fjali, si në aspektin politik ashtu edhe në atë ligjor?”, u shpreh ai.
Ai vuri në pikëpyetje edhe përgjegjësinë e institucioneve përballë pretendimeve të tilla, duke thënë se nëse ekzistojnë raste të haraçit, atëherë autoritetet duhet të veprojnë menjëherë.
“Si mundesh me thënë që ka njerëz që qesin haraç dhe të mos ndërmerren masa? A jeni ju pushteti? Nëse e dini, pse nuk i arrestoni?”, deklaroi Gruda.
Deputeti i PDK-së tha se akuza të tilla jo vetëm që dëmtojnë një subjekt politik, por edhe ngrenë shqetësime serioze për funksionimin e shtetit ligjor.
Ai pati kritika edhe ndaj kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, për mënyrën e menaxhimit të seancës, duke kërkuar ndërhyrje në raste të deklaratave të tilla.
“Mendoj që kur thotë deputeti kështu, duhet me ia tërheq vërejtjen. Nuk mundet me u thënë që ‘haraçexhia financon një parti’ pa fakte. Ose tregoni emrat dhe rastet konkrete, ose mos flisni kështu”, tha ai.
Në përfundim, Gruda e krahasoi këtë lloj diskursi me debatet jashtë institucioneve, duke theksuar se Kuvendi duhet të ruajë standarde më të larta të komunikimit.
Debat i tensionuar është zhvilluar në Kuvend gjatë diskutimeve për shqyrtimin në parim të projektligjit për çmimet tavan në produktet bazë.
Përplasja ishte mes deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Eman Rrahmani, dhe atij të Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi.
Gjatë diskutimit fjalën e mori Rrahmani. Ai kritikoi projektligjin duke thënë se kjo u shërben oligarkëve e se i dëmton prodhuesit vendorë.
“Ky ligj që po e sillni këtu është i oligarkëve. Duhet të bëhet ligji për tregti të brendshme…. aty duhet të caktohen rregullat e tregut ku s’mund t’u qitet haraç nga secili rrjet i marketeve prodhuesve vendorë. Sot për të prodhuar një ujë dhe që ta futësh në treg të Kosovës duhet të paguhet mijëra euro haraç që vendosin rrjetet e marketeve”, ka thënë ai duke akuzuar pushtetin se e ka rritur koston për prodhim.
“Në markete, këto produkte që i përmendni shumica janë në marketingje e reklama me çmim minimalist e pothuajse marzhë zero të fitimit që t’i tërheqin konsumatorët për t’i sjellë në rrjete dhe t’u shesin qindra artikuj të tjerë. A e keni parë që buka shpesh përgjysmë më lirë se në furrat e bukës sepse kjo është orientim i tregut drejt oligarkëve. Atëherë i kemi quajtur bashkë, sot po u shërbeni me ligj. Nëse ua cakton çmimin një marketi të lagjes do të falimentojë”, ka thënë ai.
Pas tij, reagoi Abrashi që tha se këta që Rrahmani i akuzon për “haraç” janë “financuesit kryesorë të PDK-së”.
“Kolegu Eman, me të vërtetë më pëlqeu fjalimi. E ke ngritur edhe më herët këtë çështjen e haraçit që pajtohem që disa operatorë të mëdhenj ekonomikë ua bëjnë. Por e kam një kërkesë. A mundesh ti brenda GP të PDK-së të marrësh iniciativë ligjore, me bekimin e PDK-së kundër këtyre oligarkëve, e ta sjellësh këtu dhe ta miratojmë atë ligj? S’mundesh sepse ata operatorë ekonomikë që po u qesin haraç bizneseve të vogla, janë financuesit dhe donatorët kryesorë të PDK-së. A mund ta sjellësh? Votën time do ta kesh”, ishte përgjigja e Abrashit.
Pas kësaj, Rrahmani u ngrit për të marrë fjalën, por kryeparlamentarja Albulena Haxhiu i tha se nuk mund ta marrë fjalën pa ia dhënë lejen ajo.
“Ani prit se s’mund të çohesh pa ta dhënë fjalën”, u dëgjua të thotë Haxhiu.
Rrahmani bllokoi foltoren e kryeparlamentarja Haxhiu ua dha fjalën disa deputetëve të tjerë që refuzuan të flisnin.