Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance pas përfundimit të bisedimeve falënderoi kryeministrin e Pakistanit dhe shefin e ushtrisë, duke i përshkruar si “mikpritës të jashtëzakonshëm”.
Ai tha që përkundër bisedimeve, nuk është arritur marrëveshje me Iranin.
Sipas tij diçka e tillë është më keq për Iranin se sa për ShBA-në.
“Cilado qoftë mangësia e negociatave, nuk ishte për shkak të pakistanezëve, të cilët bënë një punë të shkëlqyer dhe vërtet u përpoqën të na ndihmonin ne dhe iranianët të afronim qëndrimet dhe të arrinim një marrëveshje. Kemi punuar për këtë tashmë prej 21 orësh dhe kemi zhvilluar disa diskutime thelbësore me iranianët. Kjo është lajmi i mirë,” tha Vance.
“Lajmi i keq është se nuk kemi arritur një marrëveshje, dhe mendoj se kjo është më shumë lajm i keq për Iranin sesa për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, po kthehemi në Shtetet e Bashkuara pa arritur një marrëveshje. Ne kemi bërë shumë të qarta vijat tona të kuqe, çfarë jemi të gatshëm të pranojmë dhe çfarë nuk jemi të gatshëm të pranojmë. Këtë e kemi bërë sa më të qartë që ka qenë e mundur, dhe ata kanë zgjedhur të mos i pranojnë kushtet tona”, tha Vance në konferencë për media.
/Reporteri.net/