Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, mori pjesë në një ndeshje të UFC-s ndërkohë që bisedimet për paqe në Lindjen e Mesme kishin ngecur.
Sipas raportimit të Associated Press, ndërsa negociatat mes SHBA-së dhe Iranit po përballeshin me vështirësi, presidenti amerikan ishte i pranishëm në një event të UFC-së.
Trump hyri në arenën në Miami pak pas orës 21:00 sipas kohës lokale, i shoqëruar nga presidenti i UFC-së, Dana White, dhe disa anëtarë të familjes së tij. Ndërkohë që në sfond luhej një këngë e Kid Rock, ai u drejtua drejt vendit të tij, ku po e priste sekretari i shtetit, Marco Rubio. Aty pranë ndodhej edhe Sergio Gor, ambasadori i SHBA-së në Indi.
Më pak se gjysmë ore më vonë, rreth orës 06:30 të mëngjesit në Islamabad, JD Vance njoftoi se ekipet negociuese të SHBA-së dhe Iranit kishin dështuar të arrinin një marrëveshje paqeje.
Trump qëndroi në arenën në Miami të paktën deri në orën 23:28 sipas kohës lokale.
/Reporteri.net/