Apple ka njoftuar se veterani John Ternus do të jetë në krye të kompanisë si CEO-n i ardhshëm. Ai do ta pasojë Tim Cook, i cili pritet të kalojë në rolin e kryetarit ekzekutiv të bordit të drejtorëve të Apple gjatë këtij viti.
Mandati i Ternus në krye të kompanisë do të fillojë më 1 shtator. Ekzekutivi i inxhinierisë së harduerit është një figurë e brendshme e vjetër e Apple, çka tregon e kompania do të vazhdojë në të njëjtën rrugë që ka sjellë fitime rekord nën drejtimin e Cook, shkruan The Guardian.
Fitimi vjetor i Apple tani kalon 100 miliardë dollarë dhe në janar kompania njoftoi të ardhura rekord nga iPhone-t e saj, të nxitura nga kërkesa e rifreskuar në Kinë, transmeton në shqip gazeta online Reporteri.net.
“Jam thellësisht mirënjohës për këtë mundësi për të çuar përpara misionin e Apple,” tha Ternus në një njoftim për shtyp të kompanisë. “Duke kaluar pothuajse të gjithë karrierën time në Apple, kam qenë me fat që kam punuar nën drejtimin e Steve Jobs dhe që kam pasur Tim Cook si mentor. Ka qenë privilegj të ndihmoj në formësimin e produkteve dhe përvojave që kanë ndryshuar kaq shumë mënyrën se si ndërveprojmë me botën dhe me njëri-tjetrin”, ka thënë ai.
Cook do të mbetet CEO i Apple gjatë verës për të ndihmuar në tranzicionin e lidershipit. Ai e vlerësoi pasardhësin e tij si një person me “mendjen e një inxhinieri, shpirtin e një novatori dhe zemrën për të udhëhequr me integritet dhe nder”.
Ternus filloi në Apple në vitin 2001 dhe mori rolin e zëvendëspresidentit të inxhinierisë së harduerit në vitin 2013, më pas drejtues i departamentit në vitin 2021, përgjegjës për komponentët fizikë që përbëjnë produktet e Apple. Ndër arritjet e tij më të rëndësishme ishte zhvillimi dhe lançimi i çipave të silikonit të vetë Apple për linjën Mac, gjë që rriti ndjeshëm shitjet pasi u zëvendësuan çipat Intel në vitin 2020, sipas Wall Street Journal.
Produktet e reja që debutuan nën drejtimin e tij në divizionin e harduerit përfshijnë Apple Watch dhe linjën e kufjeve AirPods, të cilat u shndërruan në linja të mëdha biznesi për Apple, si dhe kufjen Vision Pro, e cila nuk pati të njëjtin sukses.
Journal e përshkroi Ternus si “një inxhinier mekanik i afrueshëm” me një stil menaxhimi më të afërt me qetësinë e Cook sesa me stilin frymëzues por të paqëndrueshëm të Steve Jobs, shkruan The Guardian. Zëvendësuesi i tij do të jetë Johny Srouji, i cili më parë ka shërbyer si zëvendëspresident i lartë i harduerit në Apple.
Cook, i cili iu bashkua Apple në vitin 1998 dhe pasoi Jobs si CEO në vitin 2011, kishte qenë i angazhuar në planifikimin e pasardhjes së tij për pjesën më të madhe të një viti, raportoi New York Times në janar, pasi Cook i kishte thënë bordit dhe drejtuesve të lartë se dëshironte të punonte më pak. Ternus ishte konsideruar si një favorit për ta zëvendësuar Cook.
Ternus, me origjinë nga Kalifornia, mori diplomën bachelor në inxhinieri mekanike nga Universiteti i Pensilvanisë, duke qenë pjesë e ekipit universitar të notit dhe duke fituar disa gara. Pas diplomimit në vitin 1997, ai punoi për një kohë të shkurtër në Virtual Research Systems, një startup i realitetit virtual.
Edhe pse Ternus mund të ndjekë një rrugë të ngjashme me atë të Cook drejt suksesit financiar, ai do të përballet me presion për të arritur kompanitë rivale në Silicon Valley në fushën e inteligjencës artificiale, ku Apple ka mbetur pas edhe pse është lider në harduerin për konsumatorë. Ai do të trashëgojë një rishikim të premtuar të asistentit virtual Siri dhe një mungesë të perceptuar të produkteve të njohura të AI për konsumatorët./Reporteri.net/