×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Deklarata

    15 nënshkrimet e LDK-së, Kurti: Në ora 23:00 dolën me një listë si me qenë për ndonjë debat për energjinë

    Reporteri
    28 Prill 2026 | 17:04

    Në konferencën për media, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk ka paraqitur asnjë propozim konkret për çështjen e presidentit, por vetëm një listë me 15 nënshkrime që sipas tij dukej si me qenë për ndonjë debat parlamentar për energjinë ose diçka tjetër.

    Sipas Kurtit, kjo listë nuk është dorëzuar në mënyrë institucionale tek ai apo tek shefja e grupit parlamentar të VV-së.

    “Së pari, kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun e kam takuar disa herë, madje shumë herë. Nu kka pasur asnjëherë asnjë propozim. Përkundër kësaj kishte vetëm refuzime. Unë propozime ai refuzime. Ndërsa sa i përket paraqitjes së djeshme, së pari ata dolën pas seancës, ndërsa para seancës se folën asnjë fjalë që flet qartë për qëllimin. Së dyti letra me 15 nënshkrime do të mund ti ofrohej VV-së në mënyrë institucionale, ose te shefja e grupit parlamentar ose tek unë si kryetar i VV-së, sepse rreth orës 11 të natës, pasi u ndërpre, dolën me një listë ku ishin emrat e tyre, por shumë intersant, nuk shkruante përçka janë ata emra, emri i askujt nuk ishte aty përveç se i 15 deputetëve, që dukej si me qenë listë për ndonjë debat parlamentar për energjinë ose diçka tjetër, aty nuk thuhej që këta emra ishin për kandidat. Ata emra do duhej të vinin tek unë, nëse i kanë 15 nënshkrime të vijnë tek unë, por duhet ta ketë datën e sotit ajo letër, jo datën e pardjeshit. Mbrëmë është dashur ta kishte datën 27 prill, por e kishte 25. Ta ketë qëllimin e qartë dhe datën e sotit, dhe jo tua sjell juve. S’kam kurrgjë kundër, por s’kryhet punë ashtu se presidenti nuk votohet nlë shoqatë të gazetarëve”, tha Kurti në konferencë.

    Ai shtoi se lista në fjalë e Abdixhikut nuk kishte datën e ditës së djeshme, por të para dy ditëve, dhe nuk sqaronte për çfarë shërbenin nënshkrimet e deputetëve.

    Kurti theksoi se nëse do të kishte një emër të qartë nga LDK, do të shqyrtohej mundësia për tërheqjen e kandidaturës së Hatixhe Hoxhës.

    “Po ta kishim emrin e qartë të LDK-së për kë bëhet fjalë, unë do ta takojë kandidatën Hatixhe Hoxha që të tërhiqej dhe ta kemi Feride Rushitin me një kandidat tjetër. Por edhe njëherë po them që jo juve por neve me na sjell dhe duhet të jetë e qartë për kë e kanë fjalën, nuk po e dijmë. Çka shkruajnë në rrjete sociale është një gjë, por institucionet funksionojnë ndryshe. Po i bie që ajo listë me 15 veta tregonte që deputetët e gp të LDK-së, janë bashkë, po për çka janë bashkë nuk e morëm vesh”, tha Kurti.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!