×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Konferenca

    PDK paralajmëron protesta: Republika po përballet me sfidën më të madhe që nga pavarësia

    Reporteri
    28 Prill 2026 | 21:24

    Partia Demokratike e Kosovës, në një konferencë për media,  ka thënë se Republika e Kosovës po përballet me sfidën më të madhe që nga pavarësia.

    Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri tha se sot kanë mbledhur grupin parlamentar, Kryesinë dhe po ashtu kanë pasur takim me kryetarët e degëve duke kërkuar mobilizim, në rast se siç tha ai cënohet rendi kushtetues e demokracia.

    Tahiri këtu tha se në rast se ndodh kjo, do të reagojnë edhe në mënyrë demonstrative, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Këto orët e fundit, shteti jonë, republika ka qenë duke u sfiduar me sfidën më të madhe që nga pavarësia. Tendenca që në mënyrë jokushtetuese të vazhdojë zgjedhja e presidentit ka qenë shqetësuese për të gjithë. Ne kemi alarmu në vazhdimësi se Kurti me strategjinë dhe veprimet e tij sidomos pas datës 28 dhjetor, kanë qenë në formën që me e pamundësu që kjo legjislaturë me mbërri konsensusin e duhur që vendi të ketë president. Ne kemi pasur qasje konstruktive që nga fillimi. Kur është hapë tema e presidentit, kryetari Hamza ka shkuar në takim, nuk ka qenë e lehtë për PDK-në që t’i përgjigjet ftesës së Kurtit, për arsye se ai vazhdimisht ka përdorë gjuhë fyese ndaj subjekteve opozitare, por kemi pasur qasje me shumë konstruktivitet”, tha Tahiri.

    Ai shtoi se Kurti tentoi të bëjë pazare me pozita shtetërore, dhe nuk pranoi formalizim të marrëveshjes për president.

    “E kemi pa që Kurti ka tentu një kandidat me e propozu PDK, një Vetëvendosje. Çka i bie kjo, ne e dimë numrin, normal që fiton ai që i ka 66. Andaj, ne i kemi thënë se përgjigjemi pozitivisht në momentin që e formalizojmë marrëveshjen për proces, jo qiti emrat. Kurti nuk ka dërguar letër zyrtare, por ka ece tutje duke zhvendosë prej pozitës së presidentit, tek ajo e shkëmbimit të pozitave me kryetarin e Kuvendit. Ky është pazar klasik me pozita shtetërore.

    Ne në vazhdimësi kemi qëndru konsistent në vendimet tona. Kurti ka mujtë me e zgjedh presidentin edhe me LDK-në. AAK-në nuk e ftu fare. Kush bën për Kurtin, problemin e ka me veten. E kemi alarmu se sfidimi i rendit kushtetues është e papranueshme. Ne e kemi mbajtë sot mbledhjen e grupit parlamentar, të Kryesisë dhe kryetarët e degëve dhe kemi kërku mobilizim, kujdes e vëmendje që nëse vie që të cënohet rendi kushtetues e demokracia, të reagojmë të gjithë në mënyrë edhe demonstrative sepse shteti, liria që e gëzojmë dhe këto institucione janë të shenjta dhe janë ndërtuar mbi gjakun e dëshmorëve”, tha Tahiri para mediave. /Reporteri.net.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!