×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjykata i shpalli të pafajshëm, vëllai insiston se tre policët e shtynë policen atë të bëjë vetëvrasje

    Reporteri
    29 Mars 2019 | 20:49

    Për 5 vjet, Zef Bekaj nuk rreshti së kërkuari drejtësi për vdekjen e motrës së tij, Pashke Bekaj, e cila bëri vetëvrasje në shtëpinë e saj, në vitin 2014, në Klinë.


    Për shtytje në vetëvrasje të koleges së tyre, ishin akuzuar nga Gjykata Themelore e Pejës, dega në Deçan, tre policët, Besim Bojaj, Ardian Toplana dhe Fatmir Gashi, me të cilën kishin pasur edhe marrëdhënie intime.

    Këtë të premte, në mungesë të provave, gjykata i ka liruar nga akuza policët.

    Për Zef Bekajn, ky vendim është i papranueshëm pasi, sipas tij, ky institucion nuk e ka marrë parasysh dëshminë e motrës së tij, katër ditë para se të bënte vetëvrasje.

    Bekaj është i bindur që këta policë e kanë shtyrë të bëjë vetëvrasje.

    Por, ai thotë për KTV se nuk do të ndalet me kaq dhe do të ankohet në Gjykatën e Apelit në Prishtinë.

    Bekaj ka bërë të ditur se 4 ditë para se, siç thotë ai, të vritej, motra e tij është intervistuar nga Policia Rajonale e Pejës, me ç’rast i kishte rrëfyer të gjitha në lidhje me tre të akuzuarit dhe shantazhet që ia kanë bërë.

    Trupi i pajetë i polices Pashke Bekaj, rreth të 40-ve, është gjetur në dhomën e saj në fshatin Krushevë e Madhe të Komunës së Klinës dhe dyshohet se aktin e vetëvrasjes e ka kryer me armën e saj zyrtare.

    Historia e dashurisë së polices Pashke Bekaj, me tre kolegë të saj, të martuar, kishte përfunduar me vetëvrasje, në gusht të vitit 2014. Policja nga Klina ishte gjetur e vrarë me një plumb në kokë, në ditën e Bajramit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!