×
  • Lajme
  • Raporto
  • Mjekësi / The Lancet

    Studimi i ri: Rreth 1.2 miliard njerëz në botë jetojnë me çrregullime mendore

    Reporteri
    22 Maj 2026 | 11:57

    Gati 1.2 miliardë njerëz në mbarë botën kishin çrregullime mendore në vitin 2023, duke reflektuar një rritje prej 95.5% që nga viti 1990, ka zbuluar një studim i ri, raporton CNN, përcjell Reporteri.net.

    Rritjet më të mëdha ishin te ankthi dhe depresioni, të cilat ishin gjithashtu çrregullimet më të zakonshme në vitin 2023. Në vendin e tretë ishte një kategori e çrregullimeve të personalitetit që nuk shoqëroheshin me çrregullime të tjera mendore ose me përdorim të substancave.

    Studimi, i publikuar të enjten në revistën shkencore The Lancet, zbuloi gjithashtu se si trendet lidhur me 12 çrregullime mendore ndryshonin sipas moshës, gjinisë, vendndodhjes dhe faktorëve socio-demografikë në 204 vende dhe territore — duke sugjeruar “se po hyjmë në një fazë edhe më shqetësuese të përkeqësimit të barrës globale të çrregullimeve mendore”, shkruan autorët në studim.

    Damian Santomauro, autori i parë dhe kryesor i studimit, tha se “sinqerisht ishte i tronditur nga përmasat” e rezultateve.

    “Ka shumë faktorë që ndikojnë këtu dhe është e vështirë të ndahen të gjithë veçmas”, shtoi Santomauro, profesor i asociuar në Shkollën e Shëndetit Publik në University of Queensland në Australi.

    “Adresimi i këtyre faktorëve të rrezikut kërkon udhëheqje kolektive globale.”

    Çrregullimet e tjera mendore të përfshira në matje ishin çrregullimi bipolar, skizofrenia, çrregullimi i spektrit të autizmit, çrregullimi i mungesës së vëmendjes dhe hiperaktivitetit (ADHD), anoreksia, bulimia, distimia, çrregullimi i sjelljes dhe paaftësia intelektuale zhvillimore me shkaqe të panjohura.

    Distimia është një formë afatgjatë, por më e lehtë e depresionit, e njohur gjithashtu si çrregullim depresiv i vazhdueshëm. Çrregullimi i sjelljes prek fëmijët dhe adoleshentët dhe përfshin një model të vazhdueshëm të sjelljeve mosbindëse dhe agresive.

    Studiuesit zbuluan rritje në të gjitha 12 çrregullimet, përfshirë një rritje prej 158% të ankthit dhe një rritje prej 131% të depresionit krahasuar me vitin 1990. Çrregullimet më pak të zakonshme ishin anoreksia, bulimia dhe skizofrenia — megjithëse këto gjendje nuk janë të rralla, pasi në vitin 2023 u regjistruan përkatësisht rreth 4 milionë, 14 milionë dhe 26 milionë raste.

    Shumica e çrregullimeve mendore ishin më të zakonshme tek femrat, por autizmi, çrregullimet e sjelljes, ADHD-ja, çrregullimet e personalitetit dhe paaftësia intelektuale me shkaqe të pashpjegueshme ishin në fakt më të zakonshme tek meshkujt.

    Studimi ndihmon gjithashtu për të kuptuar më mirë se si pandemia e COVID-19 mund të ketë ndikuar në rritjen e disa problemeve të shëndetit mendor. Para pandemisë së Covid-19, nivelet e ankthit, depresionit dhe disa çrregullimeve të tjera tashmë ishin në rritje. Por gjatë dhe pas krizës, depresioni u rrit dhe ende nuk është kthyer në nivelet para pandemisë.

    Ekipi hulumtues zbuloi gjithashtu se ankthi arriti kulmin dhe mbeti në nivele të larta deri në vitin 2023.

    Në këtë hulumtim, “çështje si nënraportimi — një problem i zakonshëm me sëmundjet mendore — janë marrë parasysh, por ne në të vërtetë nuk e dimë sa të sakta janë këto të dhëna”, tha përmes emailit Paul Bolton, shkencëtar i lartë në departamentin e shëndetit mendor në Johns Hopkins Bloomberg School of Public Health në Baltimore.

    Megjithatë, vlerësimet “janë më të mirat që kemi” dhe “janë aq afër shifrave reale në botë sa ka gjasa të arrijmë”, shtoi Bolton, i cili nuk ishte i përfshirë në studim.

    Rritja është zhvendosur tek të rinjtë

    Çrregullimet mendore po bëhen gjithnjë e më shumë një nga shkaqet kryesore të paaftësisë, ku më të prekurat janë femrat dhe personat e moshës 15 deri në 39 vjeç. Ndërsa një barrë më e madhe tek femrat është diçka tipike, kulmi në grupmoshën 15 deri në 19 vjeç është një rast i parë në historinë e studimit GBD, tha Damian Santomauro.

    “Historikisht, këtë kulm e kemi parë gjithmonë në moshën e mesme” shtoi ai.

    Ekspertët këshillojnë personat që po përballen me probleme mendore të kërkojnë ndihmë profesionale dhe të flasin me specialistë për terapi, trajtime apo forma të tjera mbështetjeje.

    Ata theksojnë gjithashtu rëndësinë e ushqimit të shëndetshëm, aktivitetit fizik, gjumit cilësor, lidhjeve sociale, hobive si dhe balancës mes jetës dhe punës./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!