Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, përmes “Facebook”-ut i ka dërguar përshëndetje për të gjithë anëtarët e familjes së një komentuesi, i cili e kishte quajtur “xhenaze”.

Fjala “xhenaze” përdoret për të vdekurin ose ceremoninë e varrimit, por në të folur përdoret edhe si ofendim për një person të dobësuar apo të rraskapitur.

Komentet me këtë përmbajtje Totaj i ka bërë pikërisht në një postim në të cilin ka folur rreth linçimit publik, gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit, që sipas tij po bëhen nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Albin Kurti.

Reklamë

Në të njëjtin postim, një qytetar i ka komentuar: “Qyr xhenazja, qyre more xhenazen…”.

Në po të njëjtin koment është përgjigjur Totaj, duke u shprehur: “Nese fare ki familje, përshëndeti krejt me rend!”

Sërish, qytetari i është përgjigjur kryetarit të Prizrenit me gjuhë të njëjtë.

“Shaqir Totaj edhe ti tenden, kryetar, shum pershendeti, thuaju qe i kam per qejfi. Turpi te mbuloft”, ia ka kthyer qytetari.

Reklamë

Mirëpo, disa minuta pas këtyre shkrimeve, postimi është larguar nga faqja.

Totaj i pyetur rreth këtij komenti, si dhe largimit të postimit, përgjegjësinë ia ka hedhur administratorit të faqes, mirëpo, i pyetur se kush është administratori, ka refuzuar të përgjigjet.

“Kryetari Totaj: Përshëndetje e nderuar. Faqen e menaxhon administratori dhe posa une e verejta kete komunikim reagova për ta larguar. Keni parasysh, nese i shkruhet Kryetarit te Prizrenit ‘xhenaze’, ka individë që reagojnë! Me respekt, Sh.T”, ka deklaruar Totaj për “Betimi për Drejtësi”.

Të gjitha këto komente janë bërë në postimin e Totajt, i cili ka shkruar se suksesi i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Kurti është komunikimi toksik përmes linçimit publik, gjuhës së urrejtjes, dezinformimit dhe shpifjes.

Reklamë

“Gjuha e urrejtjes: Fyerje dhe diskriminim i bazuar në bindje politike, gjini, racë, përkatësi etnike, besim fetar apo orientim seksual. Dezinformimi dhe shpifja: Përhapja e informacioneve të rreme për persona të caktuar me qëllim dëmtimin e reputacionit”, ka shkruar Totaj.