Kristian Prenga, kundërshtari që pritet të përballet me Anthony Joshua më 25 korrik, thotë se i mjafton vetëm një goditje e saktë për të ndryshuar krejtësisht kategorinë e peshave të rënda dhe rrjedhën e karrierës së tij. Boksieri shqiptar i peshave të rënda i dha këto deklarata për Casinolyze, duke e paraqitur meçin si një përballje që, sipas tij, Joshua dhe publiku i boksit po e nënvlerësojnë.
Përballja e Joshua-s më 25 korrik ndaj Prengës shihet gjerësisht si një ndeshje për “ngrohje” apo përgatitore, para një dueli të përfolur prej kohësh me Tyson Fury-n. Prenga e ka kundërshtuar këtë mënyrë të shikimit të meçit, duke thënë se është shumë më serioz sesa po paraqitet.
“Një goditje mund të ndryshojë gjithçka në këtë kategori”
Prenga reagoi ndaj idesë se ai është thjesht një kundërshtar kalimtar në rrugën e Joshua-s drejt një supermeçi.
“Gjithkush po flet për Joshua-Fury sikur kjo ndeshje është thjesht formalitet, por në peshat e rënda kjo është mendësi shumë e rrezikshme. Një goditje mund të ndryshojë gjithçka në këtë kategori,” tha Prenga.
Ai shtoi se nuk shkon në ring për pagesë apo për ekspozim:
“Unë nuk vij për pagë apo për foto. Vij për të fituar. Nëse fitoj, do të ndryshoj brenda natës historinë e boksit britanik.”
Sipas tij, ai është një boksier i vërtetë që ka arritur gjithçka me punë të madhe dhe motivim personal, duke shtuar se lufton për familjen, për mbështetësit dhe për Shqipërinë.
Ai theksoi se një fitore do t’i ndryshonte gjithçka – financiarisht, profesionalisht dhe historikisht – por mbi të gjitha do të tregonte se besimi dhe qëndrueshmëria ende vlejnë në sport.
Nuk pret që meçi të zgjasë shumë
Prenga tha se nuk beson se përballja do të shkojë deri në fund:
“Nuk do të habitesha nëse ky meç nuk shkon deri në raundet e fundit. Të dy jemi goditës të fortë. Nuk kam frikë. Shumë kundërshtarë humbasin ndaj Joshuas para se të hyjnë në ring. Unë jo.”
Dobësitë e Joshuas
Pa e nënvlerësuar karrierën e britanikut, Prenga tha se ekipi i tij ka identifikuar pika ku mund të sulmohet:
“Nuk dua të tregoj mungesë respekti për Joshua-n, ai ka arritje të mëdha. Por si çdo peshë e rëndë, ka edhe dobësi. Presioni, ritmi i lartë dhe detyrimi për shkëmbime goditjesh mund ta nxjerrin në pah atë që nuk shihet kur ai kontrollon ndeshjen nga distanca.”
Ai shtoi se në të kaluarën janë parë momente kur Joshua bëhet më i rrezikuar kur futet në situata të pakëndshme në ring.
“Cili version i Joshua-s do të shfaqet?”
Prenga tha se po përgatitet për versionin më të fortë të ish-kampionit të dyfishtë të botës:
“Cili Joshua do të shfaqet? Kjo është pyetja kryesore. Më herët ka luftuar më lirshëm dhe më agresivisht. Kohët e fundit ka qenë më i kujdesshëm. Unë jam gati për versionin më të mirë të tij.”
I motivuar nga nënvlerësimi
Ai pranoi se shumë njerëz po e nënvlerësojnë, por tha se kjo e motivon:
“Po, patjetër. Por kjo është në rregull. Ata që më nënvlerësojnë sot, nesër do të thonë se e dinin gjithmonë sa i rrezikshëm jam. Dyshimi më jep forcë.”
Në fund, ai u kthye te ideja kryesore e tij:
“Unë jam goditës i fortë. Nuk më duhen pesë apo gjashtë goditje për të ndryshuar një meç. Mjafton një. Kur të godas Joshua-n, do të shihet sa ka mbetur nga ai.”
Meçi Joshua vs Prenga është planifikuar për 25 korrik.
/Reporteri.net/