Ndeshja e shumëpritur e ish-kampionit të botës, Anthony Joshua dhe boksierit shqiptar Kristian Prenga nuk do të zhvillohet në Riad.
Organizatorët konfirmuan se eventi i planifikuar për më 25 korrik është zhvendosur në qytetin e Xhedas, në Arabinë Saudite.
Për Anthony Joshua, kjo do të jetë paraqitja e parë në ring që nga aksidenti tragjik me makinë në Nigeri në dhjetor të vitit të kaluar, ku humbën jetën dy nga miqtë e tij më të afërt.
Dueli ndaj Prengës konsiderohet si një test për britanikun përpara një përballjeje të mundshme me rivalin e tij të vjetër, Tyson Fury, e cila pritet të zhvillohet në nëntor.
“Nuk jam i shqetësuar, e respektoj çdo kundërshtar, por kur e shoh veten, e di çfarë do të bëj dhe e di se do të jap rezultate në ring. Ky është divizioni im. Erdha vonë, jam ngritur në majë, kam ardhur te profesionistët, jam ngritur në majë. Është e vështirë të qëndrosh në majë, duhet të kesh diçka të veçantë, diçka tek vetja dhe unë e kam atë zjarr. Kam mundësinë për të luftuar me Prengën”, tha Joshua.
Boksieri shqiptar tregoi vetëbesim të madh, duke deklaruar se është gati të shkaktojë një nga surprizat më të mëdha të viteve të fundit në boksin profesionist.
Prenga paralajmëroi se nuk do të udhëtojë drejt Arabisë Saudite vetëm për të marrë pjesë, por për të kërkuar fitoren ndaj një prej emrave më të mëdhenj të boksit modern.
“Më vjen keq se nuk flas mirë. Nuk flas, jam tip që godas me grushte dhe jam shqiptar. Të premtoj, nëse të kap, nuk do të ndihesh kurrë si grushti im, ta premtoj këtë. Jam rritur me Joshuan, por mendoj se tani është koha ime. Duhet t’ia tregoj botës. Po stërvitem shumë. Stërvitem më shumë se kurrë. Ndihem shumë mirë. Ndihem gati dhe më i fortë dhe mendoj se do ta trondis botën”, u shpreh boksieri shqiptar, Kristian Prenga.
Me 29 fitore në karrierë, Joshua shihet si favorit në ring, teksa 35-vjeçari shqiptar, Kristian Prenga ka koleksionuar 20 fitore në boksin profesionist të gjitha me nokaut.