Shkenca konfirmon se talenti muzikor nuk është thjesht një çështje “gjeniale”, por një proces që ndryshon strukturën e trurit. Një përmbledhje e studimeve të fundit, e publikuar nga revista prestigjoze The Economist, tregon se si praktika muzikore funksionon si një palestër e vërtetë për mendjen, duke ofruar përfitime afatgjata që nga fëmijëria e deri në moshën e shtyrë.

Në shekullin e 19-të, frenologët që bastisën varrin e kompozitorit të njohur austriak Joseph Haydn, shpresonin se gjenialiteti i tij do të ishte i shkruar në kafkën e tij. Megjithatë, shkenca moderne tregon se sekreti nuk qëndron te kocka, por te truri. Talenti muzikor nuk lë gunga në kranium, por ai ndryshon rrënjësisht mënyrën se si funksionon dhe lidhet sistemi ynë nervor.

Sipas analizës së The Economist, studimet shkencore dëshmojnë se interpretimi i muzikës aktivizon pothuajse çdo pjesë të trurit njëkohësisht, duke sjellë efekte të jashtëzakonshme në disa dimensione kryesore:

Reklamë

1. Rritja e lëndës së hirtë (Efekti i lidhjes nervore)
Marrja me muzikë është një stërvitje intensive mendore. Skanimet e trurit kanë treguar se muzikantët profesionistë kanë një vëllim më të madh të lëndës së hirtë — indit nervor që përfshihet në proceset e të menduarit, lëvizjes dhe kujtesës — në krahasim me njerëzit që nuk luajnë asnjë instrument.

2. Përmirësimi i funksioneve ekzekutive dhe kujtesës
Një studim i vitit 2020 sugjeron se personat që luajnë muzikë gëzojnë një funksion ekzekutiv më të mirë, që është pikërisht pjesa e trurit që na ndihmon në planifikim dhe në zgjidhjen e problemeve. Ndërkaq, një meta-analizë e vitit 2017 ka konkluduar se muzikantët kanë gjithashtu një kujtesë dukshëm më të mprehtë se të tjerët. Interesant është fakti se instrumentistët e frymës (woodwind) shfaqin aftësi superiore në funksionet ekzekutive, ndërsa këngëtarët shkëlqejnë në arsyetimin verbal. Nga ana tjetër, shkenca zë rënë një mit: ata që luajnë disa instrumente thjesht për t’u mburrur (“show-offs”), nuk përfitojnë asnjë bonus shtesë nervor.

3. Zhvillimi i gjuhës dhe toleranca te fëmijët
Përfitimet e muzikës nisin herët. Hulumtimet e vitit 2014 sugjerojnë se mësimi i një instrumenti në moshë të re përmirëson aftësinë e fëmijëve për të përvetësuar një gjuhë të dytë dhe rrit aftësitë e tyre të arsyetimit jo-verbal.

4. Efekti i kënaqësisë (Sistemi limbik)
Kur luani në një instrument, sistemi limbik i trurit — i cili është përgjegjës për përpunimin e kënaqësisë dhe shpërblimit — “ndizet” i gjithi. Kjo e bën muzikën një aktivitet jo vetëm stimulues mendërisht, por edhe thellësisht përmbushës në aspektin emocional.

5. Mburojë kundër rënies kognitive dhe dementias
Muzika mbetet një aleat i fuqishëm edhe në moshë të thyer, madje edhe për amatorët. Një studim i vogël mbi të moshuarit tregoi se vazhdimi i mësimit të një instrumenti shoqërohej me më pak përkeqësim të kujtesës verbale të punës dhe të vëllimit të lëndës së hirtë.

Reklamë

Më tej akoma, një meta-analizë e vitit 2021 gjeti një lidhje të qartë midis praktikës muzikore dhe reduktimit të rrezikut për të zhvilluar dementia. Ndërsa në vitin 2025, një studim vëzhgues i kryer me 10,000 persona mbi moshën 70-vjeçare (të cilët gëzonin shëndet të plotë kognitiv), zbuloi se dëgjuesit e rregullt të muzikës kishin një rrezik relativ 39% më të ulët të rënies kognitive.

Edhe pse shkencëtarët theksojnë se provat për një marrëdhënie të prerë shkak-pasojë mbeten ende të vështira për t’u vërtetuar plotësisht, të dhënat e deritanishme konfirmojnë se si dëgjimi, ashtu edhe luajtja e muzikës, janë ndër dhuratat më të mira që mund t’i bëni trurit tuaj.