×
  • Extra
  • Raporto
  • Tech&Auto

    Modeli i inteligjencës artificiale zgjidh problemin matematikor gati 80-vjeçar

    Reporteri
    03 Qershor 2026 | 8:06

    Modeli i brendshëm i inteligjencës artificiale i kompanisë OpenAI ka arritur të zgjidhë një problem matematikor gati 80-vjeçar, ndërsa rezultati është konfirmuar edhe nga matematikanë të pavarur, gjë që një pjesë e ekspertëve tashmë e quajnë një përparim të madh në përdorimin e inteligjencës artificiale në kërkimet shkencore.

    Bëhet fjalë për të ashtuquajturin problem i distancave njësore në plan, të cilin e formuloi në vitin 1946 matematikani hungarez Paul Erdős. Problemi trajton pyetjen se sa çifte pikash mund të ndodhen maksimalisht në një distancë prej një njësie nga njëra-tjetra brenda një plani dydimensional.

    Megjithëse në pamje të parë tingëllon i thjeshtë, problemi nuk pati një zgjidhje të plotë për dekada të tëra, ndërsa kufiri i sipërm më i saktë u vendos nga matematikanët në vitin 1984, shkruan Live Science.

    OpenAI tani pretendon se modeli i saj i brendshëm i IA-së ka gjetur një qasje të re që tejkalon kufirin e vendosur nga Erdős. Kompania publikoi rezultatet në blogun e saj dhe në një punim shkencor shoqërues, duke theksuar se modeli nuk ishte trajnuar posaçërisht për këtë problem apo për matematikën në përgjithësi, transmeton në shqip gazeta online Rerporteri.net.

    Sipas studiuesve, modeli arriti te zgjidhja duke përdorur një qasje krejtësisht të ndryshme nga metodat e deritanishme që matematikanët i kishin lidhur me këtë problem.

    “Kjo është një pikë kthese e rëndësishme për matematikën dhe inteligjencën artificiale. Për herë të parë, IA ka zgjidhur në mënyrë autonome një problem të hapur që është thelbësor për një fushë të matematikës”, deklaruan nga OpenAI.

    Rezultatet më pas u shqyrtuan nga matematikanë të pavarur, të cilët konfirmuan saktësinë e provës. Ata theksuan gjithashtu se roli i njeriut mbetet thelbësor në kuptimin, interpretimin dhe përmirësimin e zgjidhjeve të tilla.

    Thomas Bloom, matematikan nga Universiteti i Mançesterit që drejton bazën e të dhënave të problemeve të Erdősit, shkroi se prova origjinale e IA-së ishte matematikisht e vlefshme, por se studiuesit njerëzorë e përmirësuan dhe e zhvilluan më tej.

    Të njëjtin mendim ndan edhe Tim Gowers nga Universiteti i Kembrixhit, duke theksuar se asnjë provë e gjeneruar deri më tani nga inteligjenca artificiale nuk kishte qenë në atë nivel cilësie.

    “Nëse një njeri do ta kishte shkruar atë punim dhe do ta kishte dërguar në Annals of Mathematics, pa hezitim do të propozoja publikimin e tij”, tha Gowers.

    OpenAI pretendon se ky zbulim shkon përtej vetë problemit matematikor dhe tregon se si inteligjenca artificiale mund të përdoret edhe në të ashtuquajturat kërkime frontier, pra në zgjidhjen e pyetjeve më të vështira shkencore.

    Njëkohësisht, kompania përpiqet të zbusë frikën se IA mund të zëvendësojë matematikanët dhe shkencëtarët, duke theksuar se qëllimi i teknologjisë është t’i ndihmojë studiuesit, jo t’i zëvendësojë ata.

    Kompania kishte bërë edhe më herët pretendime ambicioze për aftësitë e modeleve të saj në matematikë. Vitin e kaluar, disa përfaqësues të OpenAI pretenduan se modeli GPT-5 kishte zgjidhur dhjetë probleme të pazgjidhura të Erdősit, por një pjesë e ekspertëve më vonë paralajmëruan se disa nga ato probleme ishin zgjidhur më parë nga njerëzit, pas së cilës disa prej publikimeve u tërhoqën./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!