Këngëtari Yll Limani ka mbajtur një koncert ku gjatë performancës janë dëgjuar thirrje nga disa fansa që kërkonin dorëheqjen e kryeministrit shqiptar, në lidhje me protestat kundër ndërtimeve në zonën e Zvernecit.

Gjatë koncertit, disa pjesëmarrës kanë brohoritur “Rama jep dorëheqjen”, duke e lidhur reagimin e tyre me debatet e fundit për zhvillimet në zonat bregdetare dhe ndërtimet në hapësira natyrore.

Disa ditë më parë, Limani kishte reaguar edhe në mënyrë të tërthortë përmes një mesazhi publik, ku theksonte rëndësinë e dëgjimit të qytetarëve dhe ruajtjes së balancës mes zhvillimit dhe natyrës.

Reklamë

“Po mendoj që para se me fol për projekte, plane e shifra, duhet me i dëgju njerëzit që e kanë dasht atë vend para se me u bo lajm,” kishte deklaruar ai.

Në mesazhin e tij, këngëtari ka theksuar gjithashtu se zhvillimi ka vlerë, por edhe natyra, historia dhe kujtesa kanë rëndësi të veçantë.

“Mendoj që shteti duhet me u tregu sa ma transparent me qytetarët, sidomos kur bëhet fjalë për vende që kanë kaq shumë rëndësi për komunitetin. Sa ma shumë informim, dialog dhe qartësi, aq ma pak hapësirë mbetet për mosbesim e përplasje,” ka shtuar ai.

Koncerti ka përfunduar me mesazhe paqeje dhe bashkimi, ndërsa artisti ka përcjellë thirrjen: “Jemi bashkë ❤️”.