Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po kalon një periudhë tensionesh të brendshme pas rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, ku disa degë të partisë kanë dalë me kërkesa të drejtpërdrejta për ndryshim në krye të saj.

vetëm në 24 orët e fundit, degët e LDK-së në Pejë, Lipjan dhe Dega e Dytë në Prishtinë kanë kërkuar publikisht dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku, duke vlerësuar se rezultati zgjedhor kërkon përgjegjësi politike dhe reflektim të thellë në nivel qendror.

Dega e LDK-së në Pejë ka kërkuar që përgjegjësia për rezultatin zgjedhor të bartet nga udhëheqja e partisë.

Reklamë

“Pas mbledhjes së Kryesisë dhe analizës së rezultateve të zgjedhjeve të qershorit, me shumicë votash, anëtarët e Kryesisë në Pejë kanë kërkuar reflektim të thellë politik dhe marrjen e përgjegjësisë nga lidershipi i partisë. Në këtë drejtim, është kërkuar dorëheqja si akt moral dhe politik, duke vlerësuar se përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja. Kryesia konsideron se ky duhet të jetë një imperativ i qartë i kësaj shtëpie të demokracisë, në funksion të ruajtjes së besimit të anëtarësisë dhe forcimit të standardeve demokratike brenda partisë”.

Edhe Dega e Lipjanit ka kërkuar dorëheqjen e Abdixhikut, duke theksuar nevojën për reformim të brendshëm dhe përgjegjësi politike në nivel qendror.

“Në këtë frymë, pas një diskutimi të gjatë dhe një analize të detajuar të secilës qendër votimi në Degën e Lipjanit, si dhe të gjendjes aktuale politike dhe organizative brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kryesia e Degës kërkon dorëheqjen e Kryetarit të LDK-së, si standard të përgjegjësisë politike dhe si akt reflektimi ndaj mesazhit që qytetarët kanë përcjellë përmes votës së tyre”.

Në të njëjtën linjë është rreshtuar edhe Dega e Dytë e LDK-së në Prishtinë, e udhëhequr nga Florian Dushi, e cila ka vlerësuar se kryetarit i janë dhënë të gjitha mundësitë për ta rikthyer partinë në fitore, por pa rezultat.

Reklamë

“Në këto rrethana, Dega e Dytë e LDK-së në Prishtinë e falënderon kryetarin Lumir Abdixhiku për kontributin dhe angazhimin e tij të deritashëm dhe, njëkohësisht, kërkon që, me përgjegjësi dhe dinjitet politik, të japë dorëheqje dhe t’u hapë rrugë ndryshimeve tashmë të domosdoshme në LDK”.

Ndërsa. Hymete Bajrami ka thënë se zgjedhjet e brendshme janë zgjidhja sepse pozitat nuk janë të përhershme.

Bajrami ka shkruar se parimi që kush humb merr përgjegjësinë dhe lëshon rrugë duhet të zbatohet pa përjashtim.

“Sot, pas një rezultati tjetër zgjedhor që e la LDK-në përsëri në vendin e tretë dhe pas kërkesave publike të disa degëve për përgjegjësi politike, bëhet edhe më e qartë se problemet që i kishim identifikuar në janar nuk janë adresuar asnjëherë. Qëndrimi im nuk ka ndryshuar”, ka shkruar Bajrami.

Reklamë

Abdixhiku: Mandati im është i konfirmuar, kërkesat të koordinuara

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka lënë të kuptohet se nuk ka ndërmend të japë dorëheqje, duke i cilësuar kërkesat si të koordinuara dhe të dëmshme për partinë.

Ai ka theksuar se çështja e mandatit të tij është e mbyllur në Kuvendin e LDK-së dhe se anëtarësia tashmë është deklaruar.

Reklamë

Në reagimin e tij ai ka kërkuar gjithashtu dorëheqje morale nga disa drejtues lokalë, duke argumentuar se rezultatet në komunat e tyre kanë qenë të dobëta.

“LDK nuk është konfederatë e interesave lokale dhe as platformë e karrierave individuale. LDK mbetet parti nacionale”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai i ka quajtur ata “sabotues të qëllimshëm” referuar rezultatit të LDK’së në komunat ku udhëheqin dhe ka thënë se pret dorëheqjet e tyre dhe se do t’i pranojë menjëherë.

“Unë çështjen e dorëheqjes sime e kam trajtuar në Kuvendin e 31 janarit. Edhe përballë këtyre dy kryetarëve. Anëtarësia jonë, për mua, ka folur qartë. Por, për performancën e dobët në këto dy degë, rezultatin më të ulët ndër vite, pres dorëheqjet morale të dy kryetarëve në fjalë. I pranoj menjëherë”, thuhet në postim.

Reklamë

Abdixhiku i ka cilësuar këto si “projekte që synojnë ndarjen dhe me pas shuarjen e LDK-së”.

“Ftoj anëtarësinë shumicë që, në këto kohë të trazuara, të ruajë qetësinë. Do ta kapërcejmë secilën sfidë siç dimë ne. Ndjej vetem keqardhje, që në momentet me të rëndësishme të LDK-së e vendit, dëmtimi ynë nga brenda mbetet qëllim. Si nuk u ngopën kurrë?”, ka shkruar Abdixhiku.

Jo të gjitha degët e LDK-së janë rreshtuar pas kërkesave për ndryshim. Në Suharekë, kryetari Ardian Shala ka bërë thirrje për maturi dhe shmangie të vendimeve të nxituara.

Edhe Ilir Ferati, sekretar i partisë dhe kryetar i Istogut dhe kryetari i degës së Ferizajt, janë shprehur në mbështetje të Abdixhikut.

Në Klinë, Alban Raci ka kërkuar që debatet të zhvillohen brenda forumeve të partisë dhe jo në media.

Ndërkohë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka refuzuar të komentojë zhvillimet e fundit.

Tensionet brenda LDK-së po zhvillohen në një periudhë kur Kosova ende nuk ka formuar institucionet e reja pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

LDK ka siguruar 18 ulëse në Kuvend, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje është forca e parë dhe pritet të kërkojë partnerë për formimin e shumicës parlamentare.

Debati për pozicionimin e LDK-së ndaj LVV-së dhe çështja e Presidentit kanë shtuar edhe më shumë ndarjet brenda partisë.

Në këtë debat është përfshirë edhe Lutfi Haziri, i cili ka folur për mundësinë e një marrëveshjeje politike me LVV-në nëse LDK do të siguronte postin e Presidentit.

Ai kishte përmendur edhe emra të mundshëm si Abdixhiku ose vetë ai si figura unifikuese.

Megjithatë, më vonë Haziri ka sqaruar qëndrimin e tij, duke theksuar se LDK nuk ka ndryshuar linjën zyrtare.

“Asgjë s’ka ndryshuar. Nominimi për presidente i Vjosa Osmanit mbetet i vetmi emër nga radhët e LDK-së”.

Në një deklaratë tjetër, Haziri kishte theksuar LDK mund të unifikohet dhe t’i ofrojë votat e 18 deputetëve të saj të zgjedhur në Kuvendin e Kosovës, në rast se Lëvizjen Vetëvendosje, si partia e parë fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, i ofron postin e presidentit të vendit në një marrëveshje eventuale.

Ai tha se votat e LDK-së mund të unifikohen në rast se emri i presidentit del nga radhët e LDK-së dhe jo përtej kësaj partie.

“Në rast se ky emër është Lumiri [Abdixhiku, kryetar i partisë] ose emri im, atëherë mund të unifikohemi. Lumirit i bie të jetë i pari, sipas detyrës zyrtare, sepse është kryetar. Pas Lumirit, konsensus më të madh [brenda LDK-së] kam unë”, theksoi Haziri.

/Reporteri.net/