Një zyrtar policor ka humbur jetën në orët e hershme të mëngjesit të së hënës si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur rreth orës 02:30, në afërsi të pikë-kalimit kufitar në Vërmicë.
Sipas Policisë së Kosovës, viktima është zyrtari policor me inicialet R.G., 59 vjeç, i cili ishte i angazhuar në detyrë në pikën kufitare në Vërmicë.
Sipas njoftimit, aksidenti ka ndodhur derisa polici ishte duke patrulluar në këmbë pranë pikë-kalimit kufitar dhe në një moment ka tentuar të kalojë rrugën. Në atë kohë, një automjet që po lëvizte në drejtimin Prizren–Vërmicë, duke mos e përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës, e ka goditur viktimën dhe si pasojë e goditjes, zyrtari policor ka humbur jetën në vendin e ngjarjes.
Në vendin e aksidentit kanë dalë prokurori kujdestar, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Prizren dhe ekipi i emergjencës, i cili ka konfirmuar vdekjen e viktimës.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi, ndërsa drejtuesi i automjetit të dyshuar, D.D., shtetas i Republikës së Shqipërisë, është ndaluar për 48 orë.
/Reporteri.net/