Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot një mbledhje me Kryesinë dhe Kryetarët e Degëve. Takimi zgjati mbi tri orë dhe erdhi pas kërkesave për dorëheqjen e Lumir Abdixhikut nga pozita e kryetarit të partisë, pas rezultatit të 7 qershorit.

Në këtë mbledhje janë vërejtur disa mungesa.

Në fotografitë e publikuara në faqen e LDK’së, shihet se në takim s’kanë marrë pjesë Gazmend Muhaxheri dhe Imri Ahmeti, dyshja që kërkoi dorëheqjen e Abdixhikut, shkruan Reporteri.net.

Reklamë

LDK doli me një deklaratë pas takimit, ku u tha se kolegjiumi i degëve rikonfirmoi mbështetjen e plotë për Abdixhikun dhe Kryesinë e LDK’së, “në ushtrimin e përgjegjësive të tyre politike e statutore, në angazhimin për stabilitetin institucional të Republikës së Kosovës, si dhe në mbrojtjen dhe përfaqësimin e vlerave, parimeve dhe politikave të LDK-së në institucionet e vendit”.

“Rikonfirmon përkushtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të kontribuar në ndërtimin e institucioneve funksionale, në respektimin e rendit kushtetues dhe në ofrimin e zgjidhjeve që i shërbejnë interesit shtetëror dhe qytetar”, thuhet në deklaratë.

Aty thuhet se zgjedhjet e rregullta për të gjitha strukturat drejtuese të LDK-së do të mbahen gjatë vitit 2027, në përputhje me afatet statutore – duke shpërfillur kështu kërkesat nga brenda partisë për zgjedhje të brendshme tani.

Kreu i LDK’së, Lumir Abdixhiku, në reagimin ndaj kërkesave të tyre, u kishte kërkuar Muhaxherit dhe Ahmetit që ata të dorëhiqen dhe kishte thënë se dorëheqjet e tyre do t’i pranonte menjëherë./Reporteri.net

Reklamë

LDK me deklaratë pas takimit me degët: Mbështetje e plotë për Kryetarin dhe Kryesinë – zgjedhjet në 2027’ën