Policia e Kosovës ka sekuestruar armë, municion dhe pajisje të ndryshme ushtarake në dy shtëpi të pabanuara në fshatin Potokmali të Leposaviqit, në kuadër të hetimeve për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, rasti i parë është raportuar më 29 qershor 2026, rreth orës 15:15.

Gjatë kontrollit të një shtëpie të pabanuar, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar një armë të gjatë, dy krehër me 20 fishekë, dy kuti me sfera metalike për armë gjuetie, si dhe një makineri për mbushjen e fishekëve të armëve të gjuetisë.

Reklamë

Rreth 15 minuta më vonë, në një tjetër shtëpi të pabanuar në të njëjtin fshat, policia ka gjetur dhe sekuestruar një radiolidhje me adapter, një kuti plastike me municion për fishekë gjuetie, 22 kapsolla për armë gjuetie, vaj për armë, një fishek për armë gjuetie, pjesë plastike të mbushura me barut, një thikë, një këllëf për revole, një xhaketë ushtarake me mbishkrimin e Serbisë, një revole me karikator dhe pesë fishekë, si dhe gjashtë krehër me gjithsej 56 fishekë.

Lidhur me të dy rastet është njoftuar prokurori kompetent, ndërsa hetimet janë në vazhdim.