Përplasjet në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ka ditë që po vazhdojnë.
Deklaratat e ish-nënkryetarit të Komunës së Prishtinës nga radhët e LDK-së, Shkëmb Manaj, në mbrojtje të kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, kanë nxitur reagime brenda partisë.
Përmes një postimi në Facebook, Manaj ka thënë se ndryshimet në LDK mund të bëhen vetëm nga vullneti i anëtarësisë, duke akuzuar disa zyrtarë të partisë për sabotim të procesit zgjedhor.
“Ndryshimet në LDK mund t’i bëjë vetëm vullneti i anëtarësisë së saj. Por ato nuk mund t’i udhëheqin ata që në disa palë zgjedhje kanë folur më shumë për rënien e LDK-së sesa për ringritjen e saj. Ata që e sabotuan LDK-në në këtë proces zgjedhor kanë emër dhe mbiemër. I njohim të gjithë”, ka shkruar Manaj.
Ai ka shtuar se, sipas tij, me më shumë unitet LDK-ja do të kishte mundur të renditej si subjekti i dytë politik në vend.
“Me një unitet funksional në këto zgjedhje e kemi pasur mundësinë që lehtësisht të dalim subjekti i dytë politik në vend. Vizioni i kryetarit Lumir Abdixhiku për bashkim me Presidenten Vjosa Osmani ka pasur efekt pozitiv”, ka theksuar ai.
Ndaj këtij postimi ka reaguar kryetari i Degës së LDK-së në Deçan, Jeton Mushkolaj, i cili i është drejtuar drejtpërdrejt Manajt.
“Nuk jam njeri që reagoj në postime, veç beso s’po mundem mu përmbajt. Kur po të shoh ty e disa të tjerë tuj folë për interesa të LDK-së e për sabotime e etj., etj., e deri dje në kryesinë e degës nuk të ka lonë Haki Rugova, s’po shprehem ma shumë, po e ndal veten”, ka shkruar Mushkolaj.

Reagimet vijnë në një periudhë kur brenda LDK-së po zhvillohen debate të shumta pas rezultatit në zgjedhjet parlamentare dhe kërkesave për reflektim e ndryshime në parti.
Disa degë të rëndësishme të kësaj partie kërkuan publikisht dorëheqjen e Abdixhikut.