Përçarja brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës është shpërfaqur edhe ne festën e organizuar nga Ambasada amerikanë në Prishtinë për 250-vjetorin e Pavarësisë së SHBA’së. Figurat e kësaj partie, të ndarë në dy krahe, kanë qëndruar në tavolina ndaras, e larg njëri-tjetrit, shkruan Reporteri.net.
Kreu i partisë, Lumir Abdixhiku shihet në tavolinë me ish-Presidenten Vjosa Osmani, Ilir Feratin, Ukë Rugovën, Visar Azemin, Paris Gurin e Behxhet Xheladinin.
Fotoja është publikuar nga Guri.
Ndërkohë, disa tavolina më tej janë parë Gazmend Muhaxheri e Imri Ahmeti, që i kërkuan dorëheqjen Lumir Abdixhikut, të shoqëruar nga Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti dhe Bajram Gecaj.
Fotoja është publikuar nga ky i fundit.
Muhaxheri si Kryetar i Degës në Pejë dhe Ahmeti si Kryetar i Degës në Lipjan, i kërkuan dorëheqjen Abdixhikut nga pozita e kryetarit të partisë, pas rezultatit të 7 qershorit, ku LDK mbeti sërish parti e tretë e me 16%.
Dorëheqjen Abdixhikut ia kërkoi edhe Dega e Dytë e LDK’së në Prishtinë, e udhëhequr nga Florian Dushi, i cili njihet për afërsinë me Ramën.
Kryesia e LDK’së mbajti dje një mbledhje me degët e partisë. Pas mbledhjes, LDK doli me deklaratë ku u tha se kolegjiumi i degëve rikonfirmoi mbështetjen e plotë për Abdixhikun dhe Kryesinë e LDK’së, “në ushtrimin e përgjegjësive të tyre politike e statutore, në angazhimin për stabilitetin institucional të Republikës së Kosovës, si dhe në mbrojtjen dhe përfaqësimin e vlerave, parimeve dhe politikave të LDK-së në institucionet e vendit”.
Në deklaratë u tha se zgjedhjet e rregullta për të gjitha strukturat drejtuese të LDK-së do të mbahen gjatë vitit 2027, në përputhje me afatet statutore – duke shpërfillur kështu kërkesat nga brenda partisë për zgjedhje të brendshme tani.
Abdixhiku, në reagimin ndaj kërkesave për dorëheqje, u kishte kërkuar Muhaxherit dhe Ahmetit që ata të dorëhiqen dhe kishte thënë se dorëheqjet e tyre do t’i pranonte menjëherë./Reporteri.net

