Rruga magjistrale Ferizaj–Gjilan është bllokuar plotësisht për qarkullimin e automjeteve në fshatin Dardani, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që kanë përfshirë zonën.

Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj, reshjet e mëdha kanë shkaktuar grumbullim të konsiderueshëm të ujit në rrugë, duke pamundësuar qarkullimin e automjeteve. Përveç Dardanisë, reshjet kanë prekur edhe fshatrat Ramjan dhe Zllatar.

Policia ka njoftuar se rruga do të mbetet e bllokuar deri në një njoftim tjetër, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë rrugët alternative.

Reklamë

Nga drejtimi Ferizaj–Gjilan, shoferët këshillohen të përdorin rrugën përmes fshatit Zllatar, ndërsa nga drejtimi Gjilan–Ferizaj të qarkullojnë në itinerarin Dardani–Zllatar, përgjatë rrugës pranë kompanisë “Metali i Ri”.

Zyrtarët policorë ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po bëjnë orientimin e trafikut, ndërsa u bëhet apel të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë udhëzimet e Policisë dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit.