Parashikimet për vitin 2060 parasheh se mosha mesatare e popullsisë së Kosovës të jetë 49 vjeç ndërkaq sipas profileve komunale, Prishtina mbetet komuna me popullsinë më urbane, ndërsa Dragashi komuna me popullsinë më rurale, raporton KosovaPress.

Këto ishin të dhënat kryesore që u prezantuan nga Agjencia e Statistikave të Kosovës e cila të enjten ka publikuar për herë të parë raportin mbi projeksionet e popullsisë deri në vitin 2060 dhe profilet e komunave.

Drejtori ekzekutiv i ASK-së, Avni Kastrati prezantoi statistikat e viteve 2011 dhe 2024 si dhe paraqiti raportin e parashikimeve për vitin 2060 i cili do të jetë i qasshëm në formë online.

Reklamë

Ai tha se projeksionet e reja të popullsisë deri në vitin 2060 tregojnë një plakje graduale të popullsisë dhe rënie të shtimit natyror, por theksoi se ato duhet të shërbejnë si një udhërrëfyes për planifikim dhe jo si një parashikim i pandryshueshëm.

Gjatë prezantimit të raportit për projeksionet e popullsisë, Kastrati deklaroi se dokumenti është hartuar mbi bazën e regjistrimit të popullsisë të vitit 2024, statistikave të lindjeve, vdekjeve dhe migracionit, duke ofruar tre skenarë të zhvillimit demografik.

“Është e rëndësishme të kuptohet se ky nuk është një parashikim absolut i të ardhmes. Janë faktorë të ndryshëm që mund të ndikojnë. Ky është një projeksion, nëse do ta bazojmë në të dhënat që i kemi në dispozicion. Ndryshimi i popullsisë vitale, raporti tregon drejtimin e mundshëm të zhvillimeve demografike, nëse trendet aktuale vazhdojnë. Nëse arrijmë të krijojmë një shoqëri më të edukuar, me një migrim të nxitur, me një diasporë dhe të përmirësojmë kushtet, a trendet e të dhënave të moshës demografike mund të jenë edhe pak më ndryshe se sa këto që janë paraqitur këtu? Prandaj, ky raport duhet parë si një kornizë strategjike për planifikim dhe jo si një parashikim i pandryshueshëm, por standard. Sidomos kur ju komuna, pra e keni, e keni, e ka e ka profesori Thomas, e keni edhe një parashikim, ka një, një projeksion apo një estimation për 15 vitet, sepse ka qenë sfiduese me marrë”, u shpreh ai

Ndërsa eksperti nga ASK-ja, Idriz Shala, prezantoi Profilet e Komunave, duke theksuar se ato ofrojnë një pasqyrë të detajuar statistikore për secilën komunë përmes 43 treguesve kryesorë, analizave sektoriale dhe hartave tematike, të cilat ndihmojnë në identifikimin e dallimeve zhvillimore dhe nevojave për investime.

Ai bëri të ditur se Prishtina mbetet komuna më e madhe në vend me rreth 227 mijë banorë, apo 13-14 për qind të popullsisë së Kosovës, ndërsa pas saj renditen Prizreni, Ferizaj, Gjilani, Peja dhe Gjakova. Në anën tjetër, komunat më të vogla janë Kllokoti, Ranillugu dhe Parteshi.

Reklamë

Sipas tij, ndryshimet demografike dhe migrimi kanë ndikuar edhe në strukturën e papunësisë, ndërsa Kosova vazhdon të ketë një shkallë të lartë të papunësisë së të rinjve në krahasim me vendet e Bashkimit Evropian.

“Kjo tregon se kjo shpejtësi e rritjes më të madhe të migrimit ka ndikuar në ndryshimet e strukturës së papunësisë. Piramida e papunësisë së të rinjve pasqyron qartë këtë tranzicion, baza e saj po ngushtohet, ndërsa pjesa e sipërme po zgjerohet, duke reflektuar rritjen e numrit të të moshuarve. Në krahasim me Bashkimin Evropian, Kosova mbetet, një vend ku papunësia e të rinjve është relativisht e lartë. Sipas regjistrimit të vitit 2014, 23.8% e papunësisë në Kosovë ishte në moshën 15, ndërsa në Bashkimin Evropian ishte 14.8, 14.8% në 15.Kjo pasqyron qartë zhvillimin në nivelet arsimore, kjo gjatë periudhës 2012-2014, të dhënat tregojnë se ndryshimi i të papunëve me arsim të mesëm të lartë ose të lartë është rritur, ishte rreth 49.5% në vitin 2012 dhe 52.4% në vitin 2014. Kjo tregon një përmirësim të dukshëm në nivelin e arsimit në vend”, tha ai.

Shala theksoi se të dhënat tregojnë edhe përmirësime në nivelin e arsimit dhe në kushtet e banimit, duke përfshirë qasjen në infrastrukturën bazë, elemente që sipas tij duhet të shërbejnë si bazë për hartimin e politikave publike dhe planifikimin e zhvillimit në nivel lokal.