Mbi 20 inspektorë kanë zhvilluar sot një kontroll në qumështoren “Vita” në Istog, me urdhër të Ministrisë në detyrë të Bujqësisë. Gjatë aksionit, punëtorët janë larguar nga objekti, ndërsa pas përfundimit të kontrolleve, kompania është mbyllur përkohësisht.

Sipas drejtorit të qumështores, Artan Spahiu, vendimi për mbyllje është marrë nga bordi i kompanisë për një periudhë të përkohshme prej rreth shtatë ditësh.

Ai ka kritikuar mënyrën e zhvillimit të kontrollit dhe qasjen institucionale, duke thënë se kompania ka qenë gjithmonë e hapur për inspektime dhe bashkëpunim me institucionet.

Reklamë

Spahiu deklaroi se biznesi ka investuar mbi 15 milionë euro dhe punëson një numër të konsiderueshëm punëtorësh dhe fermerësh lokalë, duke paralajmëruar se pezullimi i aktivitetit do të ndikojë drejtpërdrejt në zinxhirin e furnizimit dhe pagesat e punëtorëve.

Ndërkohë, Ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, ka deklaruar se kontrollet në sektorin e qumështit janë pjesë e zbatimit të ligjit dhe nuk përbëjnë veprime të jashtëzakonshme ndaj ndonjë subjekti të caktuar.

Sipas tij, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë po ushtron detyrat e saj ligjore për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit.

“Qytetarët duhet të dinë se çfarë konsumojnë. Siguria ushqimore kërkon zbatim të barabartë të ligjit për të gjithë operatorët. Askush nuk mund të jetë mbi ligjin”, ka deklaruar Muja.