Ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, ka reaguar pas mbylljes së përkohshme të qumështores “Vita” në Istog, duke theksuar se kontrollet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) janë pjesë e mandatit të rregullt ligjor dhe zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë operatorët ekonomikë.
Sipas tij, siguria ushqimore kërkon zbatim të njëjtë të ligjit dhe nuk lejon përjashtime apo standarde të dyfishta.
“Siguria ushqimore kërkon zbatim të barabartë të ligjit për të gjithë. Qytetarët tanë duhet të dinë çfarë hanë dhe pinë për produktet për të cilat paguajnë”, ka deklaruar Muja.
Ai ka sqaruar se kontrollet që po zhvillon AUV në sektorin e qumështit dhe produkteve të qumështit janë pjesë e mbikëqyrjes së rregullt ligjore për zbatimin e Ligjit për Ushqimin dhe standardeve të sigurisë ushqimore, përfshirë edhe rastin e kompanisë “Vita”.
Sipas tij, këto veprime kanë për qëllim verifikimin e respektimit të protokolleve të prodhimit, licencave, autorizimeve dhe përputhshmërisë me kërkesat ligjore.
“Qëllimi i vetëm i këtyre kontrolleve është mbrojtja e interesit publik. Ato shërbejnë për të garantuar sigurinë e ushqimit, për të mbrojtur konsumatorët dhe për të siguruar kushte të drejta për prodhuesit që respektojnë ligjin”, ka shtuar ai.
Muja theksoi se AUV ushtron të njëjtin mandat në të gjitha segmentet e industrisë ushqimore, pa dallim sektori, madhësie apo pozite në treg.
“Kontrollet zyrtare zhvillohen ndaj operatorëve ekonomik pa dallim, sepse zbatimi i ligjit duhet të jetë i njëjtë për të gjithë”, ka thënë ai.
Ai shtoi se një sistem i besueshëm i kontrollit ushqimor forcon besimin e konsumatorëve, mbron prodhimin vendor dhe siguron konkurrencë të ndershme në treg, duke theksuar se “askush nuk mund të jetë mbi ligjin”.