Spanja ka siguruar një vend në mesin e 16 kombëtareve më të mira të Kupës së Botës, pasi të enjten mbrëma mposhti bindshëm Austrinë me rezultat 3:0 në Los Angeles.

“Furia e Kuqe” dominoi ndeshjen nga fillimi deri në fund, duke krijuar raste të shumta shënimi dhe duke vulosur një fitore të merituar, e cila i siguron kualifikimin në fazën e 1/8 së finales të Botërorit për herë të parë pas 16 vjetësh.

Rezultatin e zhbllokoi Mikel Oyarzabal në minutën e 36-të, pas një asistimi të Marc Cucurellas. Epërsinë e dyfishoi Pedro Porro në minutën e 66-të, me asistim të Álex Baenas, duke realizuar golin e tij të parë me fanellën e Spanjës në paraqitjen e 20-të. Oyarzabal vulosi fitoren në minutën e 89-të, duke shënuar edhe golin e dytë personal, sërish pas një asistimi të Cucurellas.

Reklamë

Kjo ishte fitorja e parë e Spanjës në fazën nokaut të Kupës së Botës që nga triumfi në finalen e Botërorit 2010 ndaj Holandës, kur fitoi titullin e vetëm kampion bote në histori.

Në Botërorin e vitit 2014, Spanja u eliminua që në fazën e grupeve, ndërsa në edicionet e viteve 2018 dhe 2022 u ndal në 1/8 e finales, pasi u mposht në penallti nga Rusia dhe Maroku.

Në fazën tjetër të garës, Spanja do të përballet me fituesen e duelit mes Portugalisë dhe Kroacisë, që zhvillohet në Toronto.

Nga ana tjetër, Austria e mbyll aventurën në Botëror, duke regjistruar paraqitjen e saj të parë në fazën nokaut të këtij kompeticioni që nga viti 1954.