Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar lidhur me arrestimin e qytetarit të Kosovës, Osman Selmani, nga autoritetet serbe, të cilit Gjykata e Lartë në Serbi i ka caktuar 30 ditë paraburgim.
OVL-UÇK ka dënuar arrestimin e Selmanit dhe ka hedhur poshtë çdo përpjekje për ta lidhur rastin me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se një gjë e tillë është e pabazuar.
“Regjistrat tanë zyrtarë janë të qartë: Osman Selmani nuk figuron në bazën e të dhënave të OVL-UÇK-së si veteran i UÇK-së. Lidhja e tij me UÇK-në është e pabazë dhe e motivuar politikisht, asgjë më tepër”, thuhet në reagim.
Në vijim, organizata ka kërkuar që institucionet e Kosovës të angazhohen pa vonesë për mbrojtjen e qytetarëve të saj që përballen me procedura të tilla ligjore.
“Çdo qytetar që u nënshtrohet këtyre procedurave ligjore të motivuara politikisht meriton mbrojtje të plotë konsullore dhe ligjore, dhe Republika e Kosovës ka edhe detyrimin për ta ofruar atë”, thekson OVL-UÇK.