Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të mbajë të mërkurën, më 8 korrik 2026, në orën 11:00, mbledhjen e radhës, në të cilën pritet të certifikohen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 7 qershor.

Lajmin për Gazetën Online Reporteri.net e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Sipas Elezit, mbledhja është caktuar pasi Gjykata Supreme ka vendosur për ankesat e paraqitura lidhur me procesin zgjedhor.

Reklamë

Pas certifikimit të rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja, hapen procedurat për konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Ju njoftoj se të mërkurën (8 korrik 2026, ora 11:00) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës. Në rend dite është certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat janë mbajtur më 7 qershor. Mbledhja është caktuar pas vendosjes nga Gjykata Supreme për ankesat e paraqitura në këtë institucion”, ka thënë Elezi për Reporteri.net.

Gjykata Supreme ka refuzuar si të pabazuara ankesat e kandidatëve për deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu, të cilët kishin kërkuar ndërhyrje në rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.

Në vendimet e saj, Supremja ka vlerësuar se pretendimet e kandidatëve nuk ishin mbështetur me prova të mjaftueshme që do të arsyetonin rinumërimin e plotë të votave preferenciale të kandidatëve të PDK-së.

/Reporteri.net/

Reklamë

Supremja refuzon ankesat e dy kandidatëve të PDK-së për rinumërimin e votave