Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e caktoi 6 gushtin si datë për mbajtjen e seancës konstituive, një ditë para përfundimit të afatit kushtetues. Ndërsa, tashmë data e seancës konstituive dihet, ajo që ende nuk dihet është nëse partia fituese e zgjedhjeve Lëvizja Vetëvendosje më 6 gusht do të formojnë Qeverinë, dhe se çfarë do të bëhet me zgjedhjen e Presidentit, shkruan Reporteri.net.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti të premten ndërsa foli për caktimin e datës për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit, ka thënë se përgjegjësia për zgjedhjen e presidentit e tejkalon një parti politike.
Kurti në mbledhjen e qeverisë tha se ndërsa koha ecën, veprimet politike dhe interesi shtetëror duhet të vihen në rend të parë.
“Kemi dy javë më së shumti deri te fillimi i seancës për konstituimin e Kuvendit para se të kalojmë te zgjedhja e qeverisë së re dhe dhe më pas edhe e presidentit. Për legjislaturën e re, nevojitet shumica e thjeshtë, ndërka për presidentin së paku në dy raundet e para, kërkohet prania e dy të tretave të deputetëve, andaj edhe përgjegjësia për zgjefhjen e tij e tejkalaon një pari politike. Në këtë frymë dy javë më parë zhvillova takime me krerët e PDK-së dhe PDK-së, ndërkaq shprehim keqardhje që Aleanca nuk e pranoi ftesën. Teksa koha ecën veprimet politike dhe interesi shtetëror duhet të vihen në rend të parë”, tha dje Kurti.
Ndërsa, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, tha se Lëvizja Vetëvendosje i ka numrat për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë, ndërkaq u bëri thirrje partive parlamentare që të arrijnë një zgjidhje për çështjen e presidentit.
“Spekulimeve që po planifikojnë një raund të ri zgjedhor unë do t’i përgjigjesha me ftesën e tyre për takime serioze dhe për diskutime se si të tejkalojmë situatën aktuale. Është e vërtetë se LVV-ja i ka numrat për Kuvend dhe Qeveri. Por mos i harroni akuzat që na bënin partitë politike në të kaluarën se pse u ngutët me konstituim dhe qeveri. Kjo ka qenë arsyeja që kam konsideruar se nëse ngutemi thonë pse u ngute, nëse nuk ngutem pse nuk u ngute. Asnjëherë nuk u bie taman”, deklaroi ajo.
Megjithatë, Haxhiu nuk tregoi nëse ajo personalisht do të jetë kandidate e VV për kryetare të Kuvendit.
“Sa i përket asaj se a do të jem unë kandidate për kryetare të Kuvendit, kjo i takon fituesit, LVV-së. Është në përgjegjësinë e tyre se kush do të jetë kandidati apo kandidatja për kryetar të Kuvendit. Seanca konstituive është caktuar më 6 gusht dhe aty do të dihet se kush do të jetë kandidati nga LVV-ja” ka deklaruar ajo.
Kujtojmë se kreu i VV-së, Albin Kurti, ka zhvilluar takime me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza dhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun.
Nga PDK kanë dekalruar se do të qëndrojnë në opozitë, kurse VV dhe LDK janë dakorduar për vazhdim të bisedimeve.
Kujtojmë se kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku përmes një video ditë më parë njoftoi se ka pezulluar bisedimet me Kurtin meqenëse në partinë e tij u deponuan nënshkrime për nismën për shkarkimin e tij. Ndërsa, nënshkrimet janë deponuar, ende nuk ka një datë se kur do të mbahet Kuvendi i jashtëzakonshëm i LDK-së. /Reporteri.net/.