Muzikanti irlandez Glen Hansard, fitues i çmimit Oscar dhe një prej zërave më të njohur të skenës muzikore irlandeze, ka humbur jetën në moshën 56-vjeçare pas një aksidenti me motor në Dublin.

Aksidenti fatal ndodhi në zonën Lucan, në perëndim të kryeqytetit irlandez, ndërsa autoritetet thanë se ngjarja përfshiu vetëm një mjet. Shërbimet e emergjencës u njoftuan pak para orës 04:30 të mëngjesit, por pavarësisht ndërhyrjes, Hansard nuk mundi të mbijetonte.

Familja e artistit është shprehur “thellësisht e tronditur dhe e shkatërruar” nga humbja, ndërsa ka falënderuar ekipet e emergjencës për ndihmën e dhënë në vendngjarje.

Reklamë

Glen Hansard u bë i famshëm në vitin 1991 me rolin e tij në filmin muzikor “The Commitments”, ndërsa më pas u shndërrua në një figurë kryesore të muzikës irlandeze si lider i grupit rock The Frames.

Kulmi i karrierës së tij erdhi në vitin 2008, kur fitoi çmimin Oscar për këngën më të mirë origjinale së bashku me Marketa Irglová për këngën “Falling Slowly”, pjesë e filmit muzikor “Once”. Kënga u bë një hit ndërkombëtar dhe e vendosi Hansard në skenën globale.

Lajmi për vdekjen e tij ka shkaktuar reagime të shumta nga emra të mëdhenj të muzikës.

Këngëtari britanik Ed Sheeran tha se ishte “zemërthyer” nga lajmi, duke e cilësuar Hansard një “njeri të jashtëzakonshëm dhe një forcë të madhe”.

Edhe legjenda e rokut Bruce Springsteen i bëri homazh artistit irlandez, duke shkruar se ishte i pikëlluar nga humbja e tij dhe duke e përshkruar si një muzikant të madh, mik të mirë dhe njeri bujar.

Reklamë

Përveç muzikës, Hansard ishte i njohur edhe për angazhimin e tij në kauza sociale. Ai organizonte prej vitesh koncerte bamirësie në rrugët e Dublinit për mbledhjen e fondeve për njerëzit e pastrehë, ku kishin marrë pjesë edhe artistë të njohur ndërkombëtarë.

Hansard lë pas bashkëshorten dhe djalin e tij trevjeçar. Vdekja e tij është cilësuar si një humbje e madhe për kulturën irlandeze dhe skenën muzikore botërore.