Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se të premten, më 31 korrik 2026, do të vendosen kufizime të përkohshme të qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë.
Sipas njoftimit të Ministrisë, kufizimi do të zbatohet në autoudhë nga ora 11:00 deri në 17:30, për shkak të temperaturave të larta të parashikuara, të cilat pritet të arrijnë 32 gradë Celsius ose më shumë.
“Në autoudhë, kufizimi do të jetë në fuqi nga ora 11:00 deri në 17:30, pasi temperatura e parashikuar plotëson kushtin prej 32°C ose më shumë”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse qarkullimi i automjeteve do të lejohet pa kufizime.
Nga kjo masë do të përjashtohen automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike, shërbimeve emergjente dhe institucioneve shëndetësore.
Ministria ka bërë thirrje që operatorët ekonomikë dhe ngasësit e automjeteve të respektojnë kufizimin dhe të planifikojnë qarkullimin sipas orarit të përcaktuar.