Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), si dhe me partnerët ndërkombëtarë të zbatimit të ligjit, ka realizuar një operacion që ka rezultuar me identifikimin dhe arrestimin e një personi të dyshuar,  i cili figuronte në sistemet ndërkombëtare të kërkimit me njoftim të kuq (Red Notice) të Interpolit.

Sipas Prokurorisë, rasti ka nisur më 17 qershor 2026, kur një person me inicialet B.K. është paraqitur në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC) për të vazhduar dokumentet e identifikimit me të cilat ishte pajisur vite më parë. Gjatë verifikimeve, zyrtarët kanë konstatuar se identiteti i paraqitur i përkiste një personi të ndjerë prej shumë vitesh, duke ngritur dyshime për keqpërdorim të identitetit.

Pas veprimeve të para hetimore, i dyshuari është shoqëruar në Polici dhe është intervistuar në prani të mbrojtësit të tij, ndërsa ka shfrytëzuar të drejtën për të mos u deklaruar. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit ai është ndaluar për 48 orë, ndërsa më pas Gjykata kompetente i ka caktuar masën e paraburgimit.

Reklamë

Për verifikimin e identitetit të tij të vërtetë, Prokuroria dhe Policia e Kosovës kanë iniciuar bashkëpunim të menjëhershëm ndërkombëtar përmes Interpolit dhe Europolit, duke shpërndarë të dhënat e të dyshuarit, përfshirë edhe gjurmët e gishtërinjve.

Nga informacionet e siguruara përmes autoriteteve të Gjermanisë, Francës, Austrisë, Belgjikës, Shqipërisë, Hungarisë dhe shteteve të tjera partnere është konfirmuar se i dyshuari kishte përdorur pesë identitete të ndryshme, kryesisht të lidhura me Greqinë, Shqipërinë dhe Kosovën, me të cilat kishte vepruar dhe lëvizur në disa shtete evropiane.

Si rezultat i hetimeve dhe bashkëpunimit me autoritetet e Gjermanisë dhe Shqipërisë, është identifikuar identiteti autentik i të ndaluarit. Sipas Prokurorisë, ai është shtetas i Republikës së Shqipërisë me inicialet E.K., i cili figuronte në sistemet ndërkombëtare të kërkimit me njoftim të kuq (Red Notice) të Interpolit.

Autoritetet shqiptare kanë konfirmuar identitetin e tij dhe kanë njoftuar se ai është i dënuar me 17 vjet burgim për veprat penale “Vrasje” dhe “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë”./Reporteri.net/

Reklamë