Këngëtarja me famë botërore, Katy Perry, ka reaguar pas performancës së saj në festivalin Sunny Hill, duke e cilësuar koncertin e parë në Kosovë si një përvojë “magjike”.

Përmes një postimi në Instagram, artistja falënderoi Dua Lipën dhe organizatorët e festivalit për ftesën, si dhe publikun që mori pjesë në festival.

“Shfaqja ime e parë ndonjëherë në Kosovë ishte magjike!! Faleminderit Dua Lipa dhe Sunny Hill Festival që më ftuat. ❤️🇽🇰”, ka shkruar Perry.

Reklamë

Artistja ka shpërndarë në Instagram foto dhe video nga paraqitja e saj, foto gjatë performancës, foto me Duan Lipën si dhe një video që u bë virale me një vogëlushe e cila festonte ditëlindjen dhe këndoi bashkë me Perryn.

Mes videove ishte edhe ajo e performancës, kur ajo krijoi një moment simbolik duke improvizuar një ulje në Hënë, në një skenë të ndërtuar me efekte vizuale dhe koreografi që rrëmbyen vëmendjen e publikut. Kulmi i këtij momenti ishte kur artistja ngriti flamurin shtetëror të Kosovës.

Ajo njoftoi gjithashtu se me këtë koncert ka përmbyllur turneun e saj veror në Evropë.

“Kaq ishte për EuroSummer! Faleminderit secilit prej jush që përballoi vapën për të ardhur ta shihte shfaqjen tonë! Ju dua”, u shpreh këngëtarja.

Katy Perry ishte një nga emrat kryesorë të edicionit të sivjetmë të Sunny Hill Festival, ku performanca e saj tërhoqi mijëra adhurues në Prishtinë.

Reklamë

Reklamë