Spitali i Përgjithshëm i Gjakovës ka dhënë detaje lidhur me personat e lënduar nga aksidenti i trafikut që ndodhi mbrëmjen e së hënës në rrugën magjistrale Gjakovë–Klinë, në fshatin Mrasor.

Sipas njoftimit, rreth orës 19:10 në Repartin e Emergjencës janë pranuar gjithsej 10 persona për ekzaminim dhe trajtim mjekësor.

Pas trajtimit fillestar, dy pacientë janë transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtejmë.

Reklamë

Ndërkaq, pesë pacientë janë shtrirë në Repartin e Ortopedisë, një në Repartin e Kirurgjisë dhe një paciente shtatzënë është pranuar në Repartin e Gjinekologjisë.

Një person, pas marrjes së trajtimit mjekësor, është liruar për trajtim në shtëpi.

“Rreth orës 19:10, në Repartin e Emergjencës të Spitalit të Përgjithshëm të Gjakovës janë pranuar 10 persona të lënduar nga aksidenti i trafikut që ka ndodhur në fshatin Mrasor”, thuhet në njoftimin e spitalit.

Tutje, spitali bën të ditur se të gjithë pacientët kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe janë trajtuar në përputhje me protokollet mjekësore në fuqi.