Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe kryeministri në detyrë, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, do të takohen sot në Kuvendin e Kosovës, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për krijimin e institucioneve të reja.

Takimi pritet të zhvillohet në orën 18:00.

Në anën tjetër, PDK-ja dhe Aleanca kanë refuzuar pjesëmarrjen në takimin e ftuar nga Kurti, duke përsëritur qëndrimin se nuk synojnë të bëhen pjesë e qeverisë së ardhshme.

Reklamë

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, përmes një letre drejtuar Kurtit, ka bërë të ditur se kjo parti do të vazhdojë të qëndrojë në opozitë.

“Duke iu referuar takimit tonë të datës 10 korrik 2026 dhe qëndrimit publik të PDK-së, ju rikonfirmoj se, në rrethanat aktuale, qëndrimi ynë është që të vazhdojmë të qëndrojmë në opozitë”, ka shkruar Hamza.

Ai i ka kërkuar Kurtit që marrëveshjen për krijimin e institucioneve ta arrijë me partitë e tjera politike.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka refuzuar ftesën. Kryetari Ardian Gjini ka deklaruar se AAK nuk ka interes të jetë pjesë e Qeverisë së Kosovës në asnjë format, por ka ofruar mbështetje për shmangien e zgjedhjeve të reja dhe zgjedhjen e presidentit./Reporteri.net/