Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Milan Radoiçiqit dhe 19 personave të tjerë për krime lufte në Gjakovë, ndërsa Gazeta Online Reporteri.net kishte raportuar ekskluzivisht vitin e kaluar për urdhërarrestin e lëshuar ndaj tyre.
Siç kishte shkruar Gazeta Online Reporteri.net, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte lëshuar urdhërarrest ndaj Milan Radoiçiqit dhe 19 serbëve të tjerë, të dyshuar për krime lufte të kryera në Gjakovë gjatë luftës në Kosovë.
Sipas dokumentit të siguruar atëherë nga Reporteri.net, përveç Radoiçiqit, urdhërarrest ishte lëshuar edhe ndaj Milovan Kovaçeviq, Radomir Çoliq, Milosh Dosan, Predrag Ristiq, Srdan Krstiq, Ljubisha Obradoviq, Zhivko Sariq, Spaso Sariq, Lazar Drashkoviq, Zvonko Ristiq, Darko Gligorijeviq, Çedomir Bozhoviq, Vladimir Bozhoviq, Robert Dobrunaj, Radomir Rakoviq, Ljubisha Rakoviq, Milosh Shçepanoviq, Svetislav Gligorijeviq dhe Tomica Avramoviq.
Sot, Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë me propozim për mbajtjen e gjykimit në mungesë ndaj të njëjtit grup.
Sipas aktakuzës, gjatë viteve 1998-1999, Milovan Kovaçeviq, në cilësinë e shefit të Sekretariatit të Punëve të Brendshme (SUP) në Gjakovë, Radomir Çoliq, në cilësinë e komandantit të njësive të Policisë së Posaçme (PJP), dhe Milosh Dosan, në cilësinë e komandantit të Brigadës së 52-të të Artilerisë Raketore, së bashku me 17 të pandehurit e tjerë, si pjesëtarë të këtyre njësive, akuzohen për pjesëmarrje në vrasjen e 107 civilëve gjatë një operacioni të gjerë ushtarako-policor në Gjakovë.
Aktakuza përshkruan se gjatë operacionit gratë dhe fëmijët janë ndarë nga burrat, gratë janë plaçkitur duke iu marrë stolitë e arit, paratë dhe sendet e tjera me vlerë, ndërsa burrat janë ekzekutuar, disa në shtëpitë dhe oborret e tyre e disa në lokacionin e njohur si “Ura e Taliqit”. Sipas Prokurorisë, gjatë operacionit janë djegur edhe shtëpitë e civilëve.
Në urdhërarrestin për të cilin kishte raportuar Reporteri.net thuhej se viktimat ishin vrarë në periudhën 7-10 maj 1999, ndërsa pas luftës trupat e tyre ishin gjetur në një varrezë masive në Batajnicë të Serbisë./Reporteri.net/