Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka bërë thirrje për arritjen e një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e presidentit ose presidentes së ardhshme të Kosovës.
Nagavci ka thënë se zgjedhja e kreut të shtetit është përgjegjësi kushtetuese dhe politike e të gjithë deputetëve të Kuvendit, duke shtuar se qytetarët presin përgjegjësi dhe jo bllokada institucionale.
“Zgjedhja e Presidentit/Presidentes së Republikës është përgjegjësi kushtetuese dhe politike e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Qytetarët presin përgjegjësi, jo bllokada institucionale. Dërgimi i vendit sërish në zgjedhje nuk është zgjidhje”, ka shkruar Nagavci.
Ajo ka theksuar se përtej dallimeve politike duhet të arrihet një dakordim i gjerë për një figurë konsensuale, e cila, sipas saj, duhet të përfaqësojë unitetin e qytetarëve dhe të ketë integritet e kontribut të dëshmuar për shtetin.
Nagavci ka thënë se për këtë arsye është kërkuar kohë shtesë për t’u dhënë mundësi bisedimeve politike të rezultojnë me një marrëveshje.
“Siç theksoi edhe Kryeministri Kurti, marrëveshjet nuk ndërtohen pa mirëkuptim, pa koncesione dhe pa kompromis”, ka deklaruar ajo.
Deputetja e VV-së ka thënë se kjo parti tashmë ka bërë një hap drejt kompromisit duke tërhequr kandidaturën e Glauk Konjufcës për kryetar të Kuvendit dhe ka kërkuar që edhe subjektet e tjera politike t’u japin mundësi diskutimeve.
“Të pakompromis duhet të jemi vetëm në mbrojtjen e sovranitetit, integritetit territorial, demokracisë dhe interesit të Republikës së Kosovës. Ndërsa për ndërtimin e institucioneve, kompromisi dhe përgjegjësia janë domosdoshmëri”, ka shkruar Nagavci.
Ajo ka kundërshtuar mundësinë e zgjedhjeve të reja, duke thënë se ato do të dëmtonin stabilitetin institucional dhe ekonominë e vendit.