Një aksident trafiku ka ndodhur të enjten mbrëma në rrugën “Pajazit Ahmeti” në Gjilan, ku janë përfshirë një automjet dhe një motoçikletë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, ka bërë të ditur se aksidenti ka ndodhur rreth orës 20:00.
Sipas tij, si pasojë e aksidentit, drejtuesi i motoçikletës ka pësuar lëndime të lehta trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Emergjente të Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan.
“Më datën 06.08.2026 rreth orës 20:00, në rrugën ‘Pajazit Ahmeti’ në qytetin e Gjilanit ka ndodhur një aksident trafiku në të cilin janë përfshirë një automjet dhe një motoçikletë. Si pasojë e aksidentit, përveç dëmeve materiale, lëndime të lehta trupore ka pësuar drejtuesi i motoçikletës”, ka deklaruar Osmani.
Ai ka shtuar se njësitet e trafikut në Gjilan janë duke zhvilluar hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit./Reporteri.net/