Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka njoftuar se gjatë javës së fundit ka intensifikuar aktivitetet në kuadër të planeve operative për rritjen e sigurisë në trafik.
Sipas njoftimit të Policisë, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor dhe stacionet policore në rajonin e Gjilanit, gjatë periudhës 31 korrik – 6 gusht 2026, kanë shqiptuar gjithsej 1 mijë e 966 gjoba për kundërvajtje në trafik.
“Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor dhe Stacionet Policore gjatë periudhës kohore 31.07.2026 – 06.08.2026, në vazhdën e implementimit të planeve operative për siguri në trafik, kanë shqiptuar njëmijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë (1966) gjoba”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Gjatë kësaj periudhe, policia ka bërë të ditur se janë trajtuar edhe raste të ndryshme të aksidenteve dhe shkeljeve të rregullave të trafikut.
“Gjatë kësaj periudhe, në kuadër të këtyre planeve janë ndërmarrë aktivitete edhe në hetimin e 47 aksidenteve të trafikut me dëme materiale dhe 25 aksidenteve me persona të lënduar”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, janë shqiptuar 14 gjoba për shkaktim të zhurmave gjatë natës, 26 gjoba për përdorim të telefonit gjatë ngasjes, si dhe 79 gjoba ndaj drejtuesve të motoçikletave.
Policia ka bërë të ditur se ndaj 53 ngasësve është shqiptuar masa e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike dhe krijimit të një ambienti të sigurt e të qetë për të gjithë, apelon tek qytetarët dhe subjektet afariste që gjatë orëve të natës të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zhurmë të panevojshme dhe të padurueshme”, thuhet në apel.
Nga Policia e Gjilanit kanë kërkuar nga qytetarët që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të kontribuojnë në rritjen e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion.