Sveçla publikon vendimin për shpalljen non grata të drejtorit të Telekom Serbisë
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar vendimin për shpalljen person të padëshirueshëm (non grata) të drejtorit të Telekom Serbia, Vladimir Luçiq.
Sipas vendimit, Luçiqit i ndalohet përgjithmonë hyrja, qëndrimi dhe kalimi transit në territorin e Republikës së Kosovës, bazuar në deklaratat e tij publike.
Sveçla ka thënë se askush nuk mund të hyjë në territorin e Kosovës dhe të veprojë apo të deklarohet kundër rendit kushtetues, sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.
“Askush nuk mund të hyjë në territorin e Republikës së Kosovës dhe nga këtu, të veprojë apo të deklarohet kundër rendit tonë kushtetues, sovranitetit dhe integritetit territorial. Nuk do të tolerojmë promovimin apo mbështetjen e politikave që cenojnë autoritetin e institucioneve tona dhe vënë në pikëpyetje shtetësinë e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla.
Ai ka theksuar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të mbrojnë rendin kushtetues dhe sovranitetin e vendit.
“Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran. Institucionet tona do të vazhdojnë të mbrojnë me vendosmëri rendin kushtetues, sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit”, ka deklaruar Sveçla.
