Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka nisur zbatimin e masave për largimin nga tregu të produkteve të deklaruara në etiketim se përmbajnë yndyrë me origjinë bimore, përfshirë vajin e palmës dhe vajin e kokosit.

Sipas njoftimit të IQMT-së, aksioni ka nisur pas vendimeve të institucioneve kompetente, ndërsa Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka urdhëruar nëntë kompani që të tërheqin nga tregu produktet e tyre të deklaruara me yndyrë bimore.

“Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në kuadër të zbatimit të vendimeve të institucioneve kompetente, gjatë ditës së sotme ka filluar zbatimin e masave për largimin nga tregu të të gjitha produkteve të deklaruara në etiketim se përmbajnë yndyrë me origjinë bimore (vaj palme dhe vaj kokosi)”, thuhet në njoftim.

Reklamë

Për verifikimin e zbatimit të urdhëresës, IQMT ka nisur inspektime në marketet e kategorive B dhe C, me qëllim identifikimin dhe largimin e këtyre produkteve nga ekspozimi dhe shitja.

Produktet e kompanive “Drena” SHPK, “Bylmeti KS” SHPK, “Koral Dayri” SHPK, “Magic Ice Joint Stock” SH.A, “Opatija Comerc” SHPK, Qumështorja “Aldi”, “Gexha” SHPK, “Abi” SHPK dhe “Natyra – G” SHPK janë urdhëruar të tërhiqen menjëherë nga tregu.

Ndërkohë, sipas IQMT-së, procesi i inspektimit për produktet e kompanisë Abrazen – Vita është ende duke vazhduar.

“Subjektet e lartcekura janë urdhëruar që të ndërpresin menjëherë aktivitetin e përpunimit dhe paketimit të produkteve që përmbajnë yndyrë me origjinë bimore, si dhe të largojnë nga ekspozimi dhe shitja të gjitha produktet kompozite të përfshira në këtë masë”, thuhet në njoftim.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin e zbatimit të masave në të gjithë territorin e Kosovës dhe do të ndërmarrë veprime ndaj subjekteve që nuk respektojnë urdhëresat e institucioneve kompetente.

Reklamë