As vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit, e cila kishte nisur të enjten e javës së kaluar, nuk solli sot konstituimin e Kuvendit dhe as zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve. Seanca, e cila nisi me vonesë dhe zgjati më pak se pesë minuta, prodhoi një tjetër skenë: vezë të hedhura në drejtim të kryetarit të Vetëvendosjes, njëherit kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, nga deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, shkruan Reporteri.net.
Seanca e sotme konstituive e Kuvendit të Kosovës, nuk zgjati as pesë minuta, ndërsa u ndërpre pas incidentit ku deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, njëherit kryeministrit në detyrë.
Seanca, e cila ishte paraparë të niste në ora 11:00, filloi me 1 orë e 15 minuta vonesë. Në momentin kur pritej që Kurti të propozonte emrin për kryetar të Kuvendit, ai kërkoi kohë shtesë për të zhvilluar bisedime me kryetarët e partive të tjera.
“Marrëveshje politike nuk kemi ende, prandaj për të evituar zgjedhjet e reja ju lus për kohë shtesë”, deklaroi Kurti.
Pas përfundimit të fjalimit të tij, teksa Kurti po shkonte drejt ulëses së tij, deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të tij.
Menjëherë reagoi deputeti i VV-së, Valon Hoti, i cili doli për ta ndalur Kadrijajn. Në sallë u afruan edhe deputetë të tjerë të Vetëvendosjes, ndërsa në mbështetje të Kadrijajt dolën deputetë të AAK-së.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, thirri sigurimin në sallë dhe ndërpreu punimet e Kuvendit. Sigurimi u angazhua për ta mbrojtur Kurtin, ndërsa në sallë u krijua kaos me përfshirjen e disa deputetëve.
Kurti, ndërkohë, qëndroi i ulur në karrigen e tij të deputetit.
Pas ndërprerjes së seancës, Kurti doli në konferencë për media në hollin e Kuvendit. Ai u paraqit pa sako. Shenjat e vezëve u panë në pantallonat e tij.
Kurti tha se do të ishte i lumtur ta paguante këtë “çmim”, nëse hedhja e vezëve do të ishte kostoja që ai duhet të paguajë për t’i ulur në një tryezë partitë opozitare dhe për të diskutuar për formimin e institucioneve.
“Nëse gjuajtja me vezë dhe goditja e sakos dhe pantallonave të kryeministrit nga vezët që i hedh një deputete është çmimi që unë duhet ta paguaj në mënyrë që ata të ulen dhe bisedojnë, jam i lumtur ta paguaj këtë çmim vetëm të vijnë në takim. Unë nuk ankohem që ata hedhen vezë, ankohem që ata nuk duan të takohen”, deklaroi Kurti.
Kurti, nga kjo konferencë ju bëri thirrje krerëve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së të ulen dhe të bisedojnë për të gjetur marrëveshje për krijimin e institucioneve.
Ai ka thënë se duhet të takohen për hirë të popullit të Kosovës.
“I bëjë thirrje kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku, kreut të Aleancës, Ardian Gjini që të bisedojmë dhe të bëjmë marrëveshje për hir të popullit të Kosovës”.
“Jam i gatshëm për takime që sjellin marrëveshje një orë e më parë. Me kryetarin e PDK-së, e LDK-së e Aleancës, komunikoj drejtpërdrejt, kemi nevojë për takime, për marrëveshje”, tha Kurti.
Kurti tutje tha se presidenti duhet të jetë mbi partiak, dhe një personalitet i shquar me merita kombëtare.
Kurse, sa i përket vazhdimit të seancës për konstituimin e Kuvendit, ai tha se përcaktohet nga Kryesuesi i seancës dhe përfundon kur zgjedhen kryetari dhe nënkryetarët.
Kurti tutje më tej tha se duhet të takohen dhe të merren vesh, pasi të gjithë janë kundër zgjedhjeve. /Reporteri.net/.



