Një ballinë e modifikuar e tabloidit serb “Blic” me inteligjencë artificiale ku kinse duartrokitet Time Kadrijaj e Aleancës për gjuajtje me vezë ndaj Albin Kurtit, u shpërnda nga zyrtar i Lëvizjes Vetëvendosje, Elvis Hoxha.
Ballina e pavërtetë në tabloidin serb shkruan se gjoja Marko Gjuriq, Ministër i Jashtëm i Serbisë, lavdon Time Kadrijajn e Aleancës për gjuajtjen me vezë ndaj Kurtit.
“Time Kadrijaj tregoi guxim dhe dinjitet,” shkruhet mbi fotografinë e Gjuriqt referuar deputetes së Aleancës, ndërsa fotografia ku ajo gjuan me vezë vërehet të jetë e dramatizuar me inteligjencë artificiale.
“Lëvdatat që nuk duhen.”, shkroi Hoxha, në postimin e tij.
Pak orë pasi e postoi, Hoxha e pranoi se ishte lajm i rremë dhe kërkoi falje, duke u arsyetuar se nuk po mund ta dalloj informacionin e vërtetë nga ai i rremë.
“Shpërndava para pak orësh një info të rremë dhe për këtë kërkoj falje. Në postimin tim shplrndava një foto të sajuar e ballinës së një gazete serbe me në qendër foton e deputetes Time Kadria. Është bërë shumë e vështirë të ndash informacionin e vërtetë nga ai i rremë. Po kërkoj edhe një herë falje për shpërndarjen e një informacioni të rremë.” – shkroi Hoxha”, ka shkruar ai.
Ndaj publikimit të lajmit të rremë ka reaguar Time Kadrijaj por edhe zyrtarë tjerë të Aleancës, shkruan Reporteri.net.
Kadrijaj përmes një postimi i ka reaguar Hoxhës së VV-së duke thënë se ju kanë rënë maskat.
“Ju kanë ra maskat. As Beogradi s’ju shpëton!”, ka shkruar ajo.
Poashtu, ka reaguar edhe deputeti i zgjedhur i Aleancës, Burim Ramadani, duke i thënë zyrtarit të VV-së se do të kërkojnë falje edhe për shumë gjëra të tjera, por se nuk mjafton një gjë e tillë.
“Do të kërkoni falje për shumëçka, por nuk mjafton kjo!
Ky Elvis Hoxha i VV-së (dhe jo vetëm ky!) duhet të përgjigjet në pesë pyetje bazike, edhepse paska kërkuar falje për foton fake që gjoja mediat e Serbisë paskan lavdëruar Time Kadriajn:
1. Ku e more foton fake?
2. Kush ta dërgoi?
3. Qysh e postove pa e kqyr e pa verifikim?
4. Kujt i besove aq symbyllur?
5. Kush është ai/ajo që ti i beson apo ai/ajo që të urdhëron?
Demaskimi juaj nuk do të ndalet.
Deri në fund do t’ju demaskojmë.
Po bëni Luftë Hibride kundër Kosovës për vite të tëra.
Nuk mjafton kërkim-falja juaj!
Do të vjen një ditë edhe në Kosovën tonë ku ligji do të jetë mbi të gjithë!”, ka shkruar Ramadani.
/Reporteri.net/.
