Britney Spears ka rrëfyer një përvojë të pakëndshme pas një trajtimi të fundit me botoks, duke paralajmëruar ndjekësit e saj që të tregohen veçanërisht të kujdesshëm.
Në një video të publikuar në Instagram, këngëtarja tregoi se për rreth katër javë kishte vërejtur rënie të qepallës së syrit të majtë. Ajo e lidhi këtë shqetësim me sasinë e substancës së injektuar në atë zonë gjatë trajtimit me botoks.
“Mjeku injektoi aq shumë lëng pranë syrit të majtë, saqë ai u bë kështu”, tha Spears, duke u treguar ndjekësve zonën e prekur.
Sipas saj, vetëm kohët e fundit syri kishte filluar t’i rikthehej pamjes së mëparshme, ndërsa e cilësoi përvojën si “shumë të sikletshme”.
Më pas, këngëtarja 44-vjeçare iu drejtua grave që zgjedhin të bëjnë botoks, duke i paralajmëruar:
“Vajza, duhet të jeni shumë të kujdesshme nëse bëni botoks. Këta njerëz dhe këta mjekë mund t’ju dëmtojnë vërtet sytë. Kini kujdes me këta njerëz. Kujdesuni për trupin tuaj, sepse është i juaji dhe ju përket juve. Kaq”.
Në përshkrimin e videos, Spears shkroi një mesazh të shkurtër, por domethënës: “Nuk mund t’i besosh askujt”.